Ilustrimi: Këshilli i Europës

Nga fjalët në dhunë fizike

Ekspozimi ndaj formave të ndryshme të dhunës ndikon në formimin e fëmijëve dhe në zbatimin e sjelljeve të ngjashme në të ardhmen e tyre. Në të shumtën e rasteve, dhuna fizike vije si rrjedhojë e dhunës përmes fjalëve e cila ndikon që bashkëmoshatarët të godasin njëri tjetrin.

Pasë lojës së futbollit, e cila ishte zhvilluar në objektin e shkollës, Leoni*, 16 vjeçar kishte filluar të diskutonte në mënyrë të ashpër me moshatarët e tij.

Zhurma e fjalëve kishte vazhduar deri në dalje të oborrit të shkollës, ku gjuha folur ishte shëndërruar në përleshje fizike mes të rinjve.

Dhuna fizike mes tre djemve ishte penguar nga shokët e tyre të cilët nuk kishin lejuar që të vazhdohej më tej.

“Nuk kemi mendu që ka me ardh puna deri aty, na e kena kry lojën me shoktë masnej tu i ndrru teshat kanë fillu diskutimet në zhveshtore edhe unë kam fol çka kam mendu”, tregon Leoni, i cili qëndronte ulur pran prindërve të tij.

Albani* dhe Zana*, prindër të Leonit tregojnë se para se djali i tyre të shfaqte dhunë nuk kishin vërenjtur ndonjë sjelle të tillë.

“Kur jemi kthy në shpi atë ditë, e vërenjtëm menjëherë se ish kanë më i zbehtë, nuk pranojke me nejt me neve në dhomën e ndejës. Kemi insistua me na tregu se çka ka, por si fmijë është i mbyllun në vetë edhe nuk fletë shumë, por atë ditë fillojë me qajtë edhe me na tregu rastin me radhë”, thotë Zana.

Të nesërmen prindërit kanë dërguar djalin  e tyre në shkollë dhe kanë kërkuar takim me psikologen.

“Pasi kemi fol me Leonin dhe i kemi tregu që ‘dhuna na ka me ta zgjidh asnjë problem në jetë, por veq ka me ti shtu ato’, jemi dakordu që me pas një takim me psikologën dhe mos me pasë më probleme të tilla”, shprehet Albani.

Sipas Enver Çesko, psikolog dhe President i Shoqatës së Kosovës për Psikoterapi, adoleshentët mundohen të tregojnë personalitetin e tyre të rritur të cilët vendosin pavarësisht rrethanave në të cilat ndodhen.

“Dhuna është një sjellje që buron nga faktorët e mbrendshëm dhe të jashtëm. Faktorët e mbrendshëm përfshin zhvillimin e strukturës së personalitetit, kurse ato të jashtëm interferohen në situatat e përditshme që manifestohen në mos plotësimin e dëshirave, nevojave, kërkesave dhe aftësive të personit. Zhvillimi i personalitetit të fëmiut nën edukimin e prindërve dhe ndikimi i rrethit shoqëror ndikon te fëmiu që të akumuloj emocione represive, pa varësisht se nga cila anë vjen, indukohet të anoj duke akseptuar sjellje rebeluese në moshën adoleshente”, thotë Cesko.

Burimi i dhunës tek adoleshentët

Në muajt e fundit në rrjete sociale dhe në media kanë qarkulluar video të shumta të dhunës fizike mes të rinjve në shkollë.

Sipas një publikimi të UNICEF në nivel global, gjysma e nxënësve të moshës 13-15 vjeç, raportojnë se kanë përjetuar dhunë nga bashkëmoshatarët brenda dhe përreth shkollës. Ndërsa më shumë se një në tre studentë midis moshës 13 dhe 15 vjeç përjetojnë ngacmim dhe pothuajse i njëjti proporcion përfshihen në përleshje fizike.

“Fëmijët që i nënshtrohen dhunës mund të përjetojnë lëndime fizike, infeksione seksualisht të transmetueshme, depresion, ankth, çrregullim të stresit post-traumatik (PTSD) dhe mendime vetëvrasëse. Ata gjithashtu mund të fillojnë të shfaqin sjellje të rrezikshme, agresive dhe antisociale. Fëmijët që rriten rreth dhunës kanë një shans më të madh për ta përsëritur atë te një brez i ri viktimash”, thuhet në publikimin e UNICEF.

Në dy muajt e parë të vitit 2021 në Policinë e Kosovës janë raportuar 5 raste të dhunës së nxënësve në shkolla.

Ndërsa në vitin 2020 janë 51 raste të raportuar në PK.

“Bazuar në statistika, raste të raportuara në vitin 2020 janë gjithsej 51 raste të përfshira në tri vepra penale, 41 raste- Lëndim i lehtë trupor, 5 raste- Lëndim i rënd trupor dhe 5 raste- Prishje e qetësisë publike”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Sipas Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, neni 38 pika 1 “Ndëshkimi trupor dhe masat disiplinore, të cilat dëmtojnë dhe dobësojnë dinjitetin njerëzor të fëmijës, duke përfshirë format e dhunës fizike dhe mendore, si dhe sjellje që e degradojnë, turpërojnë dhe e vënë fëmijën në situatë të dobët, janë të ndaluara në secilin ambient në shtëpi dhe familje, institucione edukativo arsimore, në institucionet e kujdesit, organet e rendit dhe sistemit të drejtësisë, në ambientet e punës dhe komunitetit”.

Psikologu Çesko tregon se fëmijët krijojnë varshmëri në përcjelljen e figurave të cilat ata i adhurojnë dhe më pasë mundohen t’i kopjojnë sjelljet e tyre.

“Varësisht nga mosha e fëmijëve, shikimi i formave të ndryshme në ekranet e ndryshme nëpër media sociale, fëmijët e perceptojnë si model për t’u identifikuar me personazhet e paraqitura. Sepse personazhet e paraqitura nëpër ekrane(video) personifikonë idolet dhe simpatit e fëmijëve për tu identifikuar me të njejtët. Sepse personazhet që paraqiten nëpër video, janë të dizajnuar në atë mënyrë që në psikikën e fëmiut të louajn rol identifikues në mënyrë që fëmiu të atashohet me gjithë qenjen e ti në figurën e personazhit në video”, thotë ai.

Prindërit e Leonit pas diskutimit me psikologen kanë vendosur që djalin e tyre ta angazhojnë më shumë në aktivitete sportive, ndërsa lojërat kompjuterike të jenë më të rralla.

“Kohët e fundit e kemi leju me me pas ma shume qasje në kompjuter, pjesën më të madhe të kohës e ka kalu t’u lujtë lonja të ndryshme. E di që i ka kqyr edhe disa seriale, po asnjëher nuk e kemi mendu që mundet me ardhë deri tek dhuna”, thotë Zana, nëna e 16 vjecarit.

Psikologu rekomandon prindërit që nga lindja deri në adoleshencë, gjatë tërë kohës të edukojnë fëmijtë në mënyrën, kohën dhe përmbajtjen gjatë përdorimit të rrjeteve sociale.

*Emrat e prindërve dhe djalit të tyre janë ndryshuar për të ruajtur privatësinë e të intervistuarve.