Projekt për Parandalimin e Ngacmimit në Shkollë

Projekti është implementuar nga BEN (Blloqet e Ndërtimit për Sukses), dhe është mbështetur nga Ambasada Amerikane në Kosovë ndërsa ka filluar punën nga marsi i vitit të kaluar në shkollat e komunave në Prishtinë, Shtime dhe Fushë Kosovë.

Në prezantimin e projektit që synon edukimin, komunikimin dhe avokimin për fëmijët morën pjesë psikologë, profesorë, prindër dhe shumë përfaqësues të tjerë.

Kaltrina Pajaziti menaxhere e këtij projekti tha se qëllimi i tij është ndalimi i ngacmimeve dhe dhunës  në shkolla.

“Qëllimi i këtij projekti është parandalim i dhunës nëpër shkolla dhe ngacmimeve të ndryshme të  cilat në shoqërinë tonë janë prezentë”, tha Pajaziti.

Menaxherja e projektit tha se nga momenti kur është filluar praktikimi i projektit në teren është vërejtur vetëdijesimi i nxënësve për t’i raportuar ngacmimet.

“Në momentin kur ne kemi filluar me projektin tonë statistikat e raportimit janë ngritur, nuk është ngritur problemi apo dhuna në shkolla por është ngritur vetëdija e nxënësve për të raportuar”, tha Pajaziti.

Ndërsa Merita Jonuzi, përfaqësuese nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), tha se kjo ministri ka miratuar dokumente të ndryshme për të ndaluar ngacmimin në shkolla.

Ajo tha se një shkollë e mirë nuk duhet t’i fshehë rastet e ngacmimit të nxënësve.

“Shkollë e mirë është ajo e cila raporton, ajo që mban evidenca. Nëse ajo nuk i raporton, i mban të fshehura nuk është shkollë e mirë”, tha Jonuzi.

Në takim u dha shfaq një film i shkurtër dhe intervista të realizuara nga fëmijët e komunave të përfshira në projekt ku ata flasin rreth kësaj çështjeje.