Dëshmitari Nuk i Gjen Faturat e Rrymës për ta Dëshmuar 'Fryrjen' nga 'Kohler'-ët

Në gjykimin për njehsorët e tipit “Kohler” u dëgjuan në cilësinë e dëshmitarëve tre persona të cilët pretendohet se janë dëmtuar me vendosjen e këtyre njehsorëve.

Dëshminë e tij e vazhdoi edhe dëshmitari Hazir Shala i cili kishte dëshmuar edhe gjatë seancës së kaluar dhe i njëjti kishte thënë se me vendosjen e njehsorëve “Kohler” faturat e rrymës i kishin ardhur shumë më të mëdha se zakonisht.

Ai kishte deklaruar se me vendosjen e njehsorëve “Kohler” faturat e rrymës i kishin ardhur shumë më të larta se zakonisht duke shkuar kështu deri në shumën 900 euro kurse pas ndërrimit të kësaj njehsori fatura më e lartë i ka ardhur 200 euro.

Pasi që dëshmitari kishte thënë se këtë mund ta dëshmojë edhe me fatura por që për momentin nuk i ka me vete, mbrojtësi i të akuzuarit Avni Alidemajt, avokati Besnik Berisha, kishte kërkuar që ky dëshmitar të ftohej edhe për seancën e radhës në mënyrë që t’i sjellë ato fatura.

Ani pse kjo kërkesë e avokatit ishte aprovuar dhe dëshmitari erdhi në shqyrtim gjyqësor ai nuk i kishte sjellë me vete faturat.

“Për faturat të cilat kam pas me i sjellë nuk i kam gjetur”, tha dëshmitari Shala.

Këtë dëshmitar avokati Besnik Berisha e pyeti në lidhje me disa fatura për të cilat tha se për tre muaj radhazi i kishin ardhur në shumë prej zero eurove.

Në lidhje me këtë, dëshmitari tha se nuk është në dijeni dhe, sipas tij, nuk ka kuptim.

“Unë nuk po e kuptoj se pse për tre muaj është fatura zero zero sepse duke pasur për bazë se vetëm për mbajtjen e orës të vije fatura tre euro”, tha dëshmitari.

Më pas u dëgjua edhe dëshmitari Arsim Demi i cili tha se nuk e di saktësisht se pse ishte ftuar që të dëshmonte megjithëse i kujtohej një rast kur e kishin ftuar që të shkonte të dëshmonte në polici në lidhje me faturat e energjisë elektrike.

“Ata më kanë thirrë, më thanë a je në dijeni për faturat që i ke bë, vlerën të cilën e ke paguar nuk po përputhet me kilovatët e shpenzuar, nuk janë përputhur ato diçka, por unë nuk i kam dhënë rëndësi vetëm i kam bërë pagesat”, tha dëshmitari.

Sipas dëshmitarit KEDS-i i kishte ndërruar njehsorët elektrikë për 40 banesat pa pasur dijeni banorët.

“Sa e di, orët i ka ndërruar KEDS-i për 40 banesa pa dijeninë tonë, për këtë e kam marrë vesh dy-tre vite pasi që më kanë thirrë në polici”, deklaroi ai.

Pas ndërrimit të këtyre njehsorëve, dëshmitari tha se ka vërejtur se ka pak ndryshime por që nuk i ka kushtuar rëndësi kësaj pune, ai po ashtu deklaroi se në lidhje me këtë nuk ka bërë asnjëherë ankesë me shkrim por vetëm ishte ankuar gojarisht kur kishte shkuar për ta paguar energjinë elektrike.

“Mu m’u ka dukë si shtrenjtë por unë i kam paguar s’jam marrë me atë punë”, shtoi dëshmitari.

Në fund, dëshmitari deklaroi se, sipas tij, është dëmtuar deri në shumën pesë-gjashtë mijë euro.

Si dëshmitar ishte ftuar edhe Bujar Hyseni i cili tha se prej vitit 2013 e deri në vitin 2015 ishte shpërngulur në Prishtinë nga Fshati Gllamnik e në lidhje me njehsorët elektrikë tha se në shtëpinë në fshat së pari e kishin pasur njehsorin mekanik e më pas, pasi që ai ishte djegur është dashur që ta ndërrojë.

Kurse për një ankesë në KEK ai deklaroi se babai i tij tashmë i ndjerë e kishte bërë atë ankesë dhe tha se nuk ka dijeni për ankesën e as në lidhje me faturat e energjisë elektrike.

Seanca e radhës do të mbahet me datën 12 Shkurt dhe në cilësinë e dëshmitarit do të dëgjohet eksperti Sefer Avidijaj.

Aktakuza ndaj Vjollca Ajvazit, Drita Hamitit dhe Avni Alidemajt u ngrit nga Prokuroria Themelore e Prishtinës më 6 tetor 2015.

Në këtë gjykim, ish-drejtori i Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, tanimë i ndjeri Blerim Sokoli, është akuzuar se në bashkëveprim dhe duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare, u ka mundësuar palëve të interesit KEDS dhe atyre “Kohler” të përfitojnë dobi në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas aktakuzës, pasi që dy zyrtarët e Metrologjisë Vjollca Ajvazi dhe Drita Hamiti kanë shqyrtuar dokumentacionin për miratimin e lejimit të tipit të njehsorit elektrik digjital të prodhuesit “Kohler”, Sokoli ka pranuar që ta licencojë në mënyrë të kundërligjshme njehsorin elektrik digjital të tipit “AEL. TF.04-1” të firmës “Kohler” nga Turqia.

Vjollca Ajvazi akuzohet se në mënyrë të paligjshme i rekomandoi Sokolit lejimin e këtij tipi të njehsorit, ndërsa Drita Hamiti ngarkohet se i ndihmoi Ajvazit për këtë rekomandim.

Në aktakuzë thuhej se të akuzuarit e dinin se këta njehsorë matnin në mënyrë të pasaktë.

KALLXO.com ka shkruar vazhdimisht për këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/deshmitaret-njesoret-kohler-paguam-shume/