Kryetari Klement Zguri dhe anëtarët e KQZ-së gjatë një mbledhjeje më 12 dhjetor 2017. Foto: Malton Dibra/LSA

Deputetët Aqif Rakipi dhe Gledjon Rehovica Humbasin Mandatin

Deputeti i PDIU Aqif Rakipi i Qarkut Elbasan dhe ai i LSI, Gledjon Rehovica i LSI humbën mandatet si pasojë e ligjit për Pastërtinë e Figurës, të njohur më së shumti si Ligji i Dekriminalizimit, për shkak se kishin dështuar të vetëdeklaronin dy episode penale të kryera në Itali shumë vite më parë.

Pas debateve që zgjatën me javë, kryetari i KQZ-së Klement Zguri lexoi vendimin për heqjen e mandateve dhe njoftimin e vakancës në Kuvendin e Shqipërisë.

Çështja e kryebashkiakut të Pogradecit Eduart Kapri, i cili nuk ka vetëdeklaruar urdhrin e ekstradimit nga territori i Italisë, u shty për një vendim tjetër, ku prokurorisë iu kërkua edhe një herë informacion shtesë.

Rakipi nga Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, është deputet që nga viti 2013 në Qarkun e Elbasanit.

Ai rezultoi shumë i suksesshëm në zgjedhjet e vitit 2017 pasi PDIU arriti të marrë në Elbasan 18 për qind të votave duke siguruar dy nga tre mandatet e kësaj partie.

Por Partia Demokratike në opozitë kërkoi tetorin e kaluar verifikim të thelluar për pastërtinë e figurës së Rakipit dhe një deputeti tjetër të Partisë Socialiste.

KQZ thotë në relacionin e projektvendimit të saj se të gjitha verifikimet me emrin e Rakipit në Shqipëri dhe Itali nuk kanë sjellë rezultat, por prokuroria dërgoi për verifikim gjurmët e gishtave të Rakipit, të marra nga kompania koncesionare e prodhimit të pasaportave dhe kartave të identitetit.

Nga verifikimi i gjurmëve të gishtave në Itali ka rezultuar se “Aqif Rakipi është raportuar me datë 03.11.1998, për veprën penale të marrjes së mallrave të vjedhur me gjeneralitetet SKËNDER EJYLBEGAJ, lindur më 24.03.1962, regjistruar më 08.10.1996 me gjenealitetet Aqif Rakipi, lindur më 01.04.1964.”

Marrja e mallrave të vjedhura nuk përfshihet në llojin e veprave penale që e bëjnë një subjekt të pazgjedhshëm në poste publike, por Rakipi rrezikon të humbasë mandatin për shkak se ka dështuar të deklarojë këtë episod në formularin e vetëdeklarimit.

Ishin gjithashtu gjurmët e gishtave që shkaktuan telashet për deputetin Gledjon Rehovica nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Rehovica, i zgjedhur deputet në Qarkun e Beratit, rezultoi fillimisht i pastër nga verifikimet, por gjurmët e gishtave të verifikuara në Itali “ka rezultuar se ndaj z. Gledion Rahovica, më datë 27.02.1999, është raportuar vepra penale “Vjedhje Dyqani”, me gjeneralitete të z. Kusta Mina, lindur më datë 21.12.1978 në Shqipëri”. (Reporter.al)