Avokati Komunal i Prizrenit Shpallet i Pafajshëm

Avokati Publik Komunal i Prizrenit, Besim Morina, është shpallur sot i pafajshëm nga akuzat me të cilat e ngarkonte Prokuroria.

“Trupi gjykues ka gjetur se i akuzuari Besim Morina lirohet nga akuza pasi që nuk është provuar që e ka kryer veprën penale  -keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ka thënë kryesuesja e trupit gjykues e Gjykatës Themelore të Prizrenit, Ajser Skenderi.

Ndërsa, në një prononcim për KALLXO.com, pas shpalljes së aktgjykimit, Besim Morina tha se që nga fillimi është ditur pafajësia e tij.

“Që nga fillimi kur është inicu procedura ndaj meje, e kam konfirmu vazhdimisht që nuk kam të bëj me vepër penale. Sot edhe nga ana e trupit gjykues të gjykatës u konfirmua ky konsiderim i imi dhe normal mori vendim mbi lirimin nga akuza”, tha Avokati Publik Komunal i Prizrenit. [interaction id=”56e6997e518248f65e9c6001″]

Besim Morina akuzohej se në dy raste keqpërdori detyrën e tij në momentin kur nuk bëri ankesa në gjykatën e shkallës më të lartë për dy lëndë, në të cilat mbronte interesat e Komunës së Prizrenit.

Në rastin e parë, sipas Prokurorisë, në kontestin për një pronë në Dushanovë, Komunës i është bërë një dëm në vlerë prej 28 mijë metrash katrorë. Ndërsa në rastin e dytë, në lëndën tjetër tek vendi i quajtur “Pashaallti”, Komunës i është shkaktuar një dëm prej 1.471 metrash katrorë.

Prokurorja Ervehe Gashi pretendon se në këto dy raste Avokati Publik Komunal ka qenë i obliguar të bëjë ankesë në gjykatën e shkallës më të lartë dhe si rezultat i kësaj e kishte ngarkuar me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

http://kallxo.com/prokurorja-kerkon-denimin-e-avokatit-komunal-te-prizrenit/