Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Dy persona në mbajtje për 48 orë lidhur me vdekjen e 47-vjeçares që ra nga ashensori

Pesë persona janë intervistuar e dy prej tyre janë dërguar në mbajtje për 48 orë lidhur me rastin e vdekjes së 47-vjeçares e cila ra nga hapësira e një ashensori, mbrëmë (20.06.2024) në Prizren.

Kështu ka njoftuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.

“Është bërë edhe hetim shtesë dhe ka rezultuar me ricilësim të veprës penale për heqje, dëmtim apo asgjësim të pajisjeve mbrojtëse apo rrezikim të vendit të punës”– tha Gashi.

Në njoftimin e mbrëmshëm shpjegohet se si ka ndodhur incidenti i cili i shkaktoi viktimës lëndime vdekjeprurëse.

“Deri te incidenti kishte ardhur pasi viktima kishte thirrur liftin për ta përdorur. Dera e liftit ishte hapur dhe viktima kishte rënë në hapësirën e ashensorit nga kati i dytë dhe për pasojë viktima kishte pësuar lëndime të rënda trupore” – tha zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Viktima, H. V. ishte dërguar në emergjencë të spitalit, ku ishte konstatuar vdekja e saj.

“Viktima nuk ka mundur t’u përballoj plagëve dhe kishte ndërruar jetë. Nga mjekët e Emergjencës është konstatuar vdekja e personit H. V., femër, lindur me 1977 me banim në Prizren”- ka thënë Bytyqi.

Ra nga ashensori, vdes një 47-vjeçare në Prizren