Avokati i Popullit

Avokati i Popullit rekomandon mos diskriminimin e personave të verbër në pajisjen me libreza të verbërisë

Avokati i Popullit sot ka dërguar Raportin me Rekomandime lidhur me ankesat e palëve për kushtëzimin me anëtarësim në Shoqatën e të Verbërve të Kosovës për t’u pajisur me libreza të verbërisë, me qëllim të përfitimit të të drejtave dhe të beneficioneve të garantuara sipas Ligjit nr. 04/L-092 për Personat e Verbër.

Ky institucion në zbatim të funksioneve të tij kushtetuese dhe ligjore, më 3 prill 2019, publikoi Raportin me Rekomandime në ankesat e parashtruar nga ankuesit Gëzim Rexha, Nazmi Sejfullahu dhe Halil Kurmehaj.

Avokati i Popullit konstaton se kushtëzimi i ankueseve me anëtarësim në ShVK, kundër vullnetit të tyre, personat e verbër pa anëtarësim i vendos në pozitë të pabarabartë, në raport me personat e verbër të anëtarësuar, si dhe i privon ata nga e drejta e tyre për të gëzuar beneficionet që burojnë nga Ligji për Personat e Verbër.

“Avokati i Popullit konstaton se kushtëzimi i ankueseve për t’u anëtarësuar në ShVK, kundër vullnetit dhe bindjeve të tyre, vetëm për shkak të fitimit të së drejtës për t’u pajisur me libreza të posaçme të verbërisë, pa pasur mundësi të zgjedhin shoqata të tjera për t’u anëtarësuar, gjithashtu përbën shkelje të nenit 44, paragrafi 1, të Kushtetutës, i cili përcakton: “Liria e asociimit është e garantuar. Liria e asociimit ngërthen të drejtën e secilit për të themeluar një organizatë pa pasur nevojë të sigurojë leje, për të qenë ose për të mos qenë anëtar i një organizate, si dhe për të marrë pjesë në aktivitete të një organizate”; dhe gjithashtu bie në kundërshtim edhe me Ligjin nr. 04/L-57 për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare, përkatësisht me nenin 3, paragrafi 1, i cili përcakton: “Çdo person në Kosovë gëzon të drejtën e plotë për t’u asociiuar dhe themeluar OJQ-në.”; dhe paragrafi 2: “Asnjë person nuk obligohet që të asociiohet kundër vullnetit të tij dhe asnjë person nuk diskriminohet në asnjë mënyrë për shkak të vendimit për t’u asociiuar apo për të mos u asociiuar”, thuhet në komunikatë.

Prandaj, Avokati i Popullit rekomandon: Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ta bëjë plotësim-ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-092 për Personat e Verbër, në mënyrë që lëshimi i librezave dhe krijimi i regjistrit të evidencës për librezat e lëshuara, të mbesin kompetencë e MPMS-së, ta bëjë plotësim-ndryshimin e nenit 17.1 të Ligjit nr. 04/L-092 për Personat e Verbër, duke siguruar që përfaqësimi i OJQ-ve në përbërje të Komisionit Mediko-Social, të mos kufizohet vetëm në ShVK.

Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, deri në plotësim-ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-092 për Personat e Verbër, t’i pajisë me libreza të verbërisë të gjithë personat të cilët e kanë Vendimin e Komisionit Mediko- Social, pa i kushtëzuar me anëtarësim në ShVK.