Policia e Trafikut - Foto: KALLXO.com

Ardian Muja akuzohet se i hodhi policit kapelën në tokë

Seanca e shqyrtimit fillestar në gjykimin e Ardian Mujës e Lulzim Dushullovcit  nuk është zhvilluar për arsye se i akuzuari Ardian Muja ka refuzuar të deklarohet rreth fajësisë.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka filluar shqyrtimi gjyqësor në gjykimin ndaj të akuzuarve Ardian Muja e Lulzim Dushullovci, të cilët nga prokuroria po akuzohen për kryerjen e veprës penale pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.

Sipas gjyqtares së rastit Lumnije Krasniqi, i akuzuari ka refuzuar të deklarohet rreth fajësisë pa praninë e një avokati mbrojtës.

Kjo ka qenë arsyeja pse kryetarja e trupit gjykues Lumnije Krasniqi ka vendosur që seancën ta shtyjë për datën 10 korrik.

Ndërsa ndaj të akuzuarit tjetër Lulzim Dushullovci është veçuar lënda për shkak se i njëjti ndodhet jashtë vendit.

Sipas aktakuzës Lulzim Dushullovci e Ardian Muja në korrik të vitit 2012, në zonën industriale në Fushë Kosovë në bashkëkryerje duke mos iu bindur urdhrave të policisë, kanë penguar personin zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare ashtu që përderisa njësia patrulluese e Policisë së Kosovës, ka ndalur veturën “Audi” ngjyrë të zezë dhe nga vozitësi tani i pandehuri Lulzim Dushullovci kanë kërkuar dokumentacionin, i njëjti zyrtarit policor i është drejtuar me fjalët “nuk ka bir nëne që kërkon dokumentacion prej meje”.

Ndërkaq Ardian Muja ka dalë nga vetura i është afruar zyrtarit policor dhe ia ka kapur kapelën nga koka.

Sipas prokurorisë me anë të këtyre veprimeve të akuzuarit në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.