Albin Kurti në Kuvend - Foto: KALLXO.com
Albin Kurti: Ka Plan Për Dobësimin e Diskreditimin e Telekomit Deri Në Privatizimin e Tij
Deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti tha se ka pasur dhe ka plan në diskreditimin e Telekomit deri në pikën kur publiku vet do të dojë shitjen e tij.
Ai shtoi se ‘Z Mobile’ është nisma për rrënimin e kësaj ndërmarrjeje.
“Ndërmarrjen publike Telekomi që buxheti do të kishte vetëm fitim, po e kthejnë në ndërmarrjen së cilës ia kanë bërë arkitekturën e krizës financiare që të kenë alibinë e përkryer për t’ia arsyetuar publikut privatizimin. Ka pasur dhe ka plan për ta dobësuar e diskredituar Telekomin derisa publiku ta dojë privatizimin”, tha Kurti.
Ai tha se punësimi e klientelizmi në Telekom e Postë bëhen për t`u shërbyer partive në pushtet.
“Situata e tillë financiare nuk është rastësi apo pasojë e rrethanave jashtë përgjegjësie të kësaj qeverie dhe vendimeve të marra nga 2007 e këtej”, ka thënë Kurti.
Ai tha se “Z Mobile” si ide përveç përfitimeve të pronarëve të tyre, po shërben edhe si nismë për rrënimin e Telekomit.
“Çka s`u arrit me Axox-in u përmbush me arbitrazhin dhe gjobën e mbi Telekomin nga një marrëveshje mafioze e paligjshme me Z Mobile”, tha Kurti.
Ai shtoi se shkaktarët që e sollën Telekomin e Postën, duhet të përballen do të përballen me drejtësi.