Foto-ilustrim

Aktgjykim për Ushtrim të Ndikimit dhe Zhvatje

Një trup gjykues i përbërë prej dy gjyqtarëve ndërkombëtarë dhe një gjyqtari vendës i Gjykatës Themelore të Ferizajt e ka shpallur të pandehurin B.V. fajtor dhe i ka shqiptuar një dënim unik prej 4 vjet e gjashtë muaj burgim dhe një gjobë prej 1,500€.

Më 8 dhjetor 2014, i pandehuri e ka pranuar fajësinë për pikat e ushtrimit të ndikimit, zhvatjes dhe posedimit të kundërligjshëm të armëve të zjarrit.

Trupi gjykues po ashtu e ka urdhëruar të pandehurin që të kthejë 25 mijë euro të cilat i ka zhvatur prej familjes së viktimës, më ose para datës 31 dhjetor 2017, në të kundërtën mund t’i caktohet një dënim me burgim shtesë.

Gjithashtu, trupi gjykues ia ka vazhduar paraburgimin derisa aktgjykimi të merr formën e prerë, kryesisht për shkakun se i pandehuri kishte ikur nga arresti shtëpiak gjatë gjykimit dhe është dashur të ekstradohet nga Gjermania.

Ndërsa, ndaj të pandehurve të tjerë të këtij rasti, S.M. dhe A.M., ende janë në liri dhe për ta janë lëshuar urdhra vendës dhe ndërkombëtarë për arrestimin e tyre.

Të gjitha palët e kanë të drejtën e ankimit, njofton Gjykata.