AKB: 2017-ën Ekonomia u La Anash

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, në konferencën përmbyllëse të vitit 2017 ka thënë para mediave se viti 2017 nuk ka qenë vit i kthesave ekonomike, por në fokus kanë qenë dy palë zgjedhjet që janë mbajtur këtë vit.

“Ne si Aleancë e vlerësojmë vitin 2017 jo si vit i kthesave ekonomike, por vit ku pati zgjedhje dhe ekonomia ishte lënë anash. Zgjedhjet qendrore dhe lokale ishin fokusi kryesor i skenës politike. Vetëm në tre muajt e fundit pati lëvizje në politikat fiskale. Që nga 1 janari i 2018 vendi dhe bizneset e Kosovës të kenë politika më lehtësuese. Procedurat për futjen e ligjit në fuqi zgjasin”, potencoi Shahini.

Disa nga sfidat të cilat Agim Shahini i përmendi sa i përket vitit 2017 janë mos formimi i ushtrisë që sipas tij, informaliteti dhe mos zëvendësimi i prodhimeve të huaja me prodhime vendore.

“Edhe pse e kemi nënshkruar MSA-në nuk ka rritje në eksport, informaliteti mbetet sfidë, nuk shkon nën 35. Prodhimi vendor nuk arriti t’i zëvendësoj prodhimet e huaja. Ende mbetet rreth 88 për qind e eksportit të huaj dhe 12 për qind prodhim i Kosovë”, ka theksuar kryetari i AKB-së.

Lumnije Ajdini, menaxhere e AKB-së ka radhitur disa nga punët dhe sukseset e AKB-së gjatë vitit 2017 duke filluar me adresimin e disa prej shqetësimeve të bizneseve kosovare në lidhje me problemet me energjinë elektrike, problemet financiare dhe çështjen e akcizës. Po ashtu ajo ka numëruar edhe disa prej aderimeve të reja gjatë vitit 2017.

“Në Këshillin Ekonomik Social i kemi mbajtur 8 takime ku janë diskutuar çështjet socio – ekonomike si ligji i punës, paga minimale, pushimi i lehonisë. Viti 2017, vit i frytshëm 109 biznese kanë aderuar në AKB. Kanë aderuar edhe 5 biznese të komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Me 20 prill janë hapur zyret regjionale në Gjakovë”, ka theksuar Ajdini.

Sylejman Konushevci, njëri nga prodhuesit vendor, pronar i fabrikës së vajit “Bio Oil” tha se gjatë këtyre 17 viteve që nga paslufta nuk ka pasur zhvillim të madh ekonomik.

“Qe 17 vite nuk ka pasur zhvillim të madh ekonomik ta shohim çfarë do të ndodhë me qeverinë e re në vitin 2018”, ka theksuar Konushevci.

Agim Shahini, kryetar i AKB-së radhiti edhe disa nga pikat më sfiduese gjatë vitit 2018 duke filluar që nga demarkacioni deri te krijimi i ushtrisë që sipas tij mund ta destabilizojnë ekonominë e vendit.

“Ndër pikat më sfiduese për vitin e ardhshëm janë demarkacioni, gjykata speciale, asociacioni i komunave serbe, krijimi i ushtrisë që mund ta destabilizojnë vendin dhe ekonominë. Duhet një strategji që gjendja politike mos ta destabilizoj ekonominë”, përfundoi Shahini.