Agim Shahini: Jam i pafajshëm dhe do të vazhdoj me ankesa kundër vendimit të Apelit

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini komentoi ekskluzivisht për KALLXO.com se edhe pse Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, dega në Vushtrri, ai ndihet i pafajshëm dhe do të vazhdojë procedurat tjera ankimore.

Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, Agim Shahini dhe vëllai i tij, Skender Shahini, do të vuajnë dënimin me burg prej 18 muajve nëse nuk kryejnë ndonjë vepër penale brenda 2 vjetësh.

“Edhe pse një dokument i tillë ende nuk është në duart tona, procedurat ankimore vazhdojnë, ende e ndjej veten të pafajshëm dhe do të vazhdojmë punën si çdo ditë tjetër. Janë edhe së paku edhe dy shkallë të ankimimit dhe ne do t’i mbrojmë të drejtat tona, sepse ne jemi në rrugë të drejtë dhe besoj që kjo do të hidhet poshtë”, ka thënë Shahini për KALLXO.com.

Shahini më tej ka shtuar se do të vazhdojë të jetë në krye të Aleancës Kosovare të Biznesit pasi e ndjen veten të pafajshëm.

“Ne do të vazhdojmë (të jemi në krye të AKB-së), ne jemi të pafajshëm në tërë këtë proces. Ne jemi vetëm si dëshmitarë në atë proces dhe kjo është për t’u çuditur se si dëshmitarët mund të trajtohen kaq keq në gjithë këtë proces dhe ne shpresojmë që ajo do të hidhet poshtë si e pabazë dhe unë jam i bindur për një çështje të tillë”, ka theksuar Shahini.

Tanimë të dënuarit Agim Shahini dhe Skender Shaini ishin shpallur fajtorë për veprën penale dëmtimi i kreditorëve, si dhe për veprën penale mashtrimi, për të cilat secilit veç e veç i është shqiptuar dënim unik me burg të kushtëzuar në kohëzgjatje prej 18 muajve, dënim ky i cili nuk do të ekzekutohet nëse të akuzuarit në afat prej 2 vjetësh nuk kryejnë vepër tjetër penale.

Sipas aktakuzës, vëllezërit Shahini kanë mashtruar të dëmtuarën, kredidhënësen “TEB Bank” SH.A, me seli në Vushtrri, kështu duke mos e përmbushur detyrimin ndaj të dëmtuarës dhe duke i shkaktuar dëm në shumë prej 253.000,00 eurove.