Foto: Kallxo.com

AKB: Në Kosovë paga mesatare është 505 euro

Sipas një hulumtimi të Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), paga mesatare në Kosovë është 505 euro, ku në këtë pagë llogariten edhe shpenzimet e punëdhënësve, siç janë pagesa jashtë orarit të punës, kontributet pensionale, të sigurimit  dhe mëditjet.

AKB-ja ka prezantuar sot hulumtimin ‘Kosto e Punës 2018’, që është realizuar në 26 komuna të Kosovës dhe janë përfshirë më shumë se 1000 biznese.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini ka thënë se të dhënat dhe rekomandimet që kanë dalë nga hulumtimi do t’i hyjnë në punë Qeverisë dhe institucioneve.

“Paga nuk është veç çka e merr, por ka edhe kosto të tjera që për  punëdhënësin ka shpenzime, si pagesa jashtë orarit të punës, kontributet pensionale, kontributet e sigurimit. Ky hulumtim po fillon të prezantohet në Prishtinë, ndërsa do të vazhdojë të prezantohet edhe në 5 qendra të tjera të Kosovës, në Gjakovë, Pejë, Mitrovicë, Prizren dhe në Gjilan”, ka thënë Shahini.

Ndërsa Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka thënë se ky vit do të jetë viti i ekonomisë edhe në praktikë.

“Ne ballafaqohemi me kërkesa për rritje të pagës, dhe mendoj që ato kërkesa janë të arsyeshme. Ky është hulumtimi i dytë i kësaj natyre, dhe do të shohim se sa ka pasur zhvillime nga hera e kaluar. Deklarimi i kryeministrit se ky vit është viti i ekonomisë, nuk do të jetë veç në letër por do ta realizojmë edhe në praktikë. Në vitet në vazhdim, prioritet do të jetë ekonomia, dhe ku ka zhvillim ekonomik ka edhe punësime dhe vende të reja të punës”, ka thënë Reçica.

Përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Kosovë, Alessandra Roccasalvo, ka deklaruar se askush nuk mund të investojë në Kosovë më shumë se sa vet bizneset vendore.

“UNDP-ja e ka detyrë që ta përkrahë Kosovën dhe ne kemi nevojë për këto të dhëna që kanë dalë nga hulumtimi. Kosova është një vend i vogël, por kemi nevojë për angazhimin e shumë njerëzve. Ju po ndihmoni të gjithë ata njerëz që kanë dëshirë të investojnë në Kosovë, as BE-ja dhe as ShBA-të dhe askush nuk mund të investojë më shumë në Kosovë, se sa vet bizneset. Është përgjegjësi e secilit që ta bëjë Kosovën me ekonomi të vlefshme dhe ne jemi shumë të lumtur për përfshirjen e shumë ministrive në këtë proces”, ka thënë ndër të tjera Roccasalvo.

Ky hulumtim është kryer në periudhat tetor deri në dhjetor 2018, ku qëllimi ishte të mas nivelin dhe strukturën e kostove të punës ose shpenzimet e përgjithshme që mbulohen nga punëdhënësit me qëllim të punësimit të punëtorëve.