Ramush Haradinaj viziton Aleancën Kosovare të Biznesit - 24.12.2019

Haradinaj: Tarifën 100% e heq Serbia duke e njohur Kosovën

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj nuk e ka vlerësuar si vit të lehtë 2019 për ekonominë e vendit.

Këtë vlerësim Haradinaj e ka thënë pas një takimi që ka pasur me me kryetarin e Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini.

Haradinaj përsëri i doli në mbrojte vendimit të Qeverisë së tij për tarifën ekonomike ndaj Serbisë.

“Nuk është mirë qeveria e ardhshme me kujtu me heq taksën. Serbia mundet me heq taksën duke e njoftë Kosovën”, tha Haradinaj.

Ndërsa në anën tjetër, kryetari i AKB-së, Agim Shahini ka thënë se Gjykata Speciale dhe bisedimet me Serbinë kanë ndikuar në investimet e huaja.

“Në zbehjen e investimeve të huaja kanë ndikuar bisedimet me Serbinë dhe Gjykata Speciale. Gjithashtu edhe dorëheqja e kryeministrit ka qene një pengesë të cilën investitorët e huaj e kanë e parë ashtu”, tha Shahini duke shtuar se tarifa prej 100% ka ndikuar që Kosova të kthej vëmendjen tek ndërkombëtarët.

“AKB e vlerëson taksën si aset negociues politik e ekonomik. Taksa ka bërë që Kosova të kthehet në vëmendje tek ndërkombëtarët”, tha tutje Shahini.

Ai ka shtuar se sipas hulumtimeve që ka bërë AKB-ja, vendosja e tarifës prej 100 ka pasur efekt në rritjen e numrit të punësimeve.

“Kemi bërë tri hulumtime për taksën, një muaj pas, gjashtë muaj pas dhe 1 vit pas. Argumentet qe ne i kemi prezantuar në publik janë ato që i kemi gjetur në terren. Efekti i taksës ka qenë shume i madh, dhe ka sjell edhe mbi 500 persona të punësuar”, tha Shahini.

Ai ka shtuar se kosovarët ende konsumojnë produkte të huaja, derisa shtoi se Shqipëria është eksportuesi më i madh në Kosovë, që nga vendosja e tarifës.