Nëntë gjëra që duhet ditur për astmën e të rriturve

Kur njerëzit mendojnë për astmën, ata shpesh mendojnë për një gjendje që është diagnostikuar në fëmijëri. Por ekziston një lloj specifik i astmës që quhet “astma në moshë të rritur” ose “astma me fillim të vonshëm”, që, siç nënkupton edhe emri, mund të zhvillohet më vonë gjatë jetës.

Astma mund të jetë një përvojë krejtësisht e ndryshme për të rriturit sesa për fëmijët, me grupin e saj unik të simptomave dhe sfidave. Të kuptuarit e dallimeve dhe si t’i përballoni, do t’ju ndihmojë të merrni frymë më lehtë.

1. Astma e të rriturve mund të zhvillohet në çdo kohë të jetës

Astma është e zakonshme tek të rriturit e moshës 65 vjeç e lart, por mund të fillojë në çdo moment të jetës. Ka tendencë të zhvillohet në familje, por jo të gjithë anëtarët e familjes e marrin atë. Nëse keni pasur alergji ose astmë në fëmijëri, mund të keni më shumë gjasa të merrni astmë ose t’ju përsëritet më vonë në jetë. Obeziteti gjithashtu mendohet ta rrisë rrezikun e zhvillimit të astmës si një i rritur.

2. Astma e të rriturve shpesh është e vështirë për t’u diagnostikuar

Astma me fillimin e të rriturve shpesh ngatërrohet me kushte të tjera që kanë simptoma të ngjashme, të tilla si bronkiti, emfizema, problemet e stomakut, sëmundjet e zemrës dhe sëmundja kronike obstruktive pulmonare (COPD). Shpesh nuk trajtohet për shkak të kësaj, kështu që është e rëndësishme të flisni me mjekun tuaj për çdo simptomë që mund të keni.

3. Shkaqet e astmës janë të ndryshme për të rriturit

Për fëmijët, astma më së shpeshti shkaktohet nga alergjitë ose infeksionet e frymëmarrjes. Astma që fillon në moshë të rritur ka më shumë të ngjarë të shkaktohet nga një sërë faktorësh: grip, ftohje ose infeksione të tjera virale, ushtrime fizike, ajri i ftohtë, ndotja e ajrit, kimikatet, tymi i cigares, disa ilaçe, të qeshurit ose emocionet, ndryshimet hormonale, depresioni ose ankthi.

4. Astma e të rriturve mund të jetë më e vazhdueshme se astma e fëmijërisë

Ndryshe nga fëmijët që shpesh kanë simptoma të astmës periodike, të rriturit priren të përjetojnë simptoma të vazhdueshme, veçanërisht nëse diagnostikohen rishtazi. Nëse shihni se astma juaj është e vështirë për t’u menaxhuar, ose mjekimi juaj nuk po funksionon si dikur, bisedoni me mjekun tuaj për të parë nëse nevojiten medikamente ditore për ta mbajtur atë nën kontroll.

5. Astma e të rriturve mund të ndikojë në funksionin e mushkërive

Funksioni i mushkërive të një personi tenton të bjerë pas moshës së mesme, por nëse astma nuk trajtohet siç duhet, kapaciteti i mushkërive mund të përkeqësohet më shpejt dhe përgjithmonë. Të rriturve me astmë të vazhdueshme shpesh u përshkruhen ilaçe më parandaluese dhe të rregullta në mënyrë që të ndihmojnë në mbrojtjen e mushkërive nga dëmtimi i përhershëm.

6. Medikamente të tjera mund të ndikojnë në trajtimin

Disa ilaçe, të tilla si ilaçet e zemrës, mund të ndërhyjnë në trajtimin e astmës ose të ndikojnë në funksionimin e ilaçeve të astmës. Nëse një person është duke marrë ilaçe për kushte të tjera, është e rëndësishme të punojë me mjekun për ta gjetur trajtimin më të mirë për astmën. Preferohet të mos merren medikamente pa recetë (OTC) përveç nëse përshkruhen nga mjeku.

7. Efektet anësore nga mjekimi i astmës tek të rriturit mund të jenë më të këqija

Disa medikamente për astmën dhe alergjinë mund të kenë efekte anësore që janë veçanërisht të dëmshme për të moshuarit. Për shembull, steroidet orale mund t’i përkeqësojnë simptomat e glaukomës, kataraktit dhe osteoporozës, dhe disa ilaçe kundër alergjive dhe astmës mund t’i rrisin rrahjet e zemrës. 

8. Duhet vaksinuar nëse shfaqet astmë tek të rriturit

Si fëmijët ashtu edhe të rriturit me astmë duhet ta marrin në konsideratë marrjen e një vaksine vjetore kundër gripit, por të rriturit e moshuar duhet gjithashtu të flasin me mjekun e tyre për marrjen e një vaksine kundër pneumonisë pasi infeksionet virale mund të shkaktojnë simptoma të astmës.

9. Mund të keni njëfarë kontrolli mbi astmën 

Të rriturit me astmë shpesh mund t’i kontrollojnë simptomat duke bërë disa ndryshime në stilin e jetës për të ndihmuar në uljen e shkaktarëve në mjedisin e tyre. Duhet konsideruar këto mënyra për t’i eliminuar shkaktarët:

  • bëjeni shtëpinë tuaj rezistent ndaj alergjive për alergjenët e zakonshëm të brendshëm si marimangat e pluhurit, mykun dhe buburrecat.
  • qëndroni në ambiente të mbyllura kur është jashtëzakonisht i ftohtë ose kur numri i polenit është i lartë.
  • vlerësojeni vendin tuaj të punës për alergjenë të mundshëm, siç janë kimikatet ose ndotja e ajrit.

Megjithëse astma mund të fillojë në çdo moshë, ajo nuk duhet t’ju ndalojë të jetoni. Duhet punuar me mjekun ose alergologun për ta përcaktuar se çfarë i shkakton simptomat e astmës. Mund të mos ketë gjasa në tejkalimin e tyre, por me menaxhim të mirë, mund t’i mbahen larg për periudha të gjata kohore dhe të vazhdohet  me një jetë normale dhe aktive./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala