Drejtori i Kardiologjisë reagon ndaj kërkesës për shkarkimin e tij, thotë se disa mjekë duan t’i ruajnë privilegjet e tyre

Drejtori i Kardiologjisë, Lulzim Kamberi, ka reaguar ndaj kërkesës së 18 kardiologëve të kësaj Klinike për shkarkimin e tij.

Kamberi thotë se menaxhmenti i Kardiologjisë bën punë me profesionalizëm të lartë.

Kërkesa, sipas tij, është nga disa mjekë nga reparti i Kardiologjisë Invasive, “të cilët duan t’i ruajnë privilegjet e tyre”.

“Mjekët respektivisht disa nga ta, të cilët kanë punuar në repartin e ndarë të kardiologjisë invazive në vazhdimësi, për t’i ruajtur privilegjet e tyre (të natyrave të ndryshme dhe jo të pakta) kanë shprehur mos gadishmëri, rezistencë e cila është shprehur edhe me greva të njohura për opinionin përmes mediave. Këto veprime kohë pas kohe kanë arritur deri në nivel bojkoti madje-madje edhe deri në nivel sabotimi” – ka shkruar Kamberi.

Kardiologët që kanë nënshkruar atë kërkesë kanë pretenduar po ashtu se Kamberi ka vonuar dërgimin e kardiologut, Artan Ahmeti në komision disiplinor me qëllim emërimin e tij shef të Njësisë Koronare.

Ahmeti tani është në komision disiplinor pasi që pretendohet se ai ka sulmuar fizikisht kolegun e tij, Fisnik Veliun, gjatë orarit të punës.

Kamberi lidhur me këtë thotë se shefat në Klinikën e Kardiologjisë janë zgjedhur me konkurs nga komisioni i zgjedhur nga drejtoria e SHSKUK-së dhe se shefat e zgjedhur nuk kanë pasur ndalesa administrative për pozitën ku kanë konkurruar, përndryshe nuk do të mund as të konkurronin.

Ahmeti dje për KALLXO.com e ka konfirmuar se është zgjedhur shef pas sulmit fizik për te cilin pretendohet. Sikurse Kamberi, edhe Ahmeti ka thënë se nuk është emëruar, por është zgjedhur me konkurs të rregullt.

Më tej, drejtori i Kardiologjisë ka thënë se puna e mjekëve pa asnjë pengesë është parim i instaluar në Klinikë.

“Ky parim është proklamuar si gjithë përfshirje, mirë përfshirje dhe shumë përfshirje (kjo është mundësuar vetëm pas bashkimit të Klinikës së Kardiologjisë, e cila deri në prill 2022 ishte e ndarë dhe plotfuqishëm bashkohet në shtator 2022, pas ndërrimit të kontratave të punës), nga ky parim menagjmenti i Klinikës nuk ka lëvizur në asnjë moment” – ka thënë Kamberi në reagim.

Drejtori Kamberi thotë se menaxhmenti është i angazhuar fuqishëm dhe thellësisht, me pozitivitetin dhe tolerancën më të lartë, për përkujdesjen ndaj të sëmurit e zhdukjen e listës se pritjes.

“Thirrja ime është që të gjithë, pa përjashtim, të angazhohemi në trajtimin human, të plotë, në përkujdesjen e lartë ndaj të sëmurëve për të cilën gjë ne kemi obligim, e që është edhe detyrim” – tha Kamberi.

Ky angazhim, sipas tij, duhet të jetë kënaqësi dhe obligim moral për shtetformim, si mirënjohje ndaj gjeneratave që, siç thotë Kamberi janë sakrifikuar për këtë çështje të lartë jetike.

Kardiologët në kërkesën dërguar drejtorit të SHSKUK-së pretendojnë se Kamberi ka ushtruar presion dhe dhunë psikike me qëllim të manipulimit të deklaratave të dëshmitarëve okularë në rastin e sulmit fizik të pretenduar për ta relativizuar aktin e dhunës dhe shpalljen e dhunuesit si të pafajshëm në këtë rast.

Gjithashtu, kardiologët kanë thënë se ai po ashtu ka publikuar listën me emrat e kardiologëve që do të zgjidheshin shefa të njësive në Klinikë, para se të përfundohej procedura e konkursit.

Kamberi akuzohet gjithashtu edhe për mosrespektim të hierarkisë, ikje nga përgjegjësitë e tij, mungesë transparence për shumicën e stafit, diskriminim në punë dhe tejkalim të kompetencave, nxitje të konflikteve, sjellje me qëndrime të dyfishta, degradim të shërbimeve profesionale e të tjera.

Bordi i SHSKUK-së në mbledhjen e rregullt të mbajtur dje diskutoi për këtë kërkesë bashkë me drejtorin e sapozgjedhur Elvir Azizi.

Ata vendosën që drejtori të formojë grupe vlerësuese për të vërtetuar nëse pretendimet në kërkesë qëndrojnë apo jo.

Në rast se vërtetohet që ka pasur dhunë fizike, kryesuesi i bordit të SHSKUK-së, Naim Bardiqi, ka thënë se kërkon “vendim maksimal”.

Kardiologët kërkojnë shkarkimin e drejtorit të Kardiologjisë, Lulzim Kamberit