Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zemaj: Kemi siguruar 1 milion e 220 mijë vaksina anti- COVID-19

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka njoftuar se kanë siguruar 1 milion 220 mijë vaksina anti- COVID-19.

Këtë e ka bërë të ditur Zemaj përmes një postimi në “Facebook” sot, duke kërkuar nga qytetarët që të vazhdojnë të respektojnë masat kundër përhapjes së kësaj sëmundjeje.

“Edhe një herë ju siguroj qytetarë të vendit tim që tashmë kemi siguruar 1,220,000 vaksina anti Covid. Deri në arritjen e vaksinave anti Covid, të vazhdojmë t’i respektojmë masat, të mos i ngarkojmë institucionet shëndetësore dhe të gjithë të hospitalizuarit jo vetëm me Covid por edhe për nevojat dhe shërbimet tjera shëndetësore”, ka shkruar Zemaj.

premten, Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate për media ka thënë se ka marrë konfirmim nga kompania Pfizer për sigurimin e 535 mijë vaksinave anti COVID-19.

MSh përmes komunikatës thotë se Qeveria e Kosovës ka ndarë 40 milionë euro për sigurimin e vaksinave dhe përmbushjes së nevojave të tjera në luftën kundër COVID-19 dhe qytetarët do ta marrin falas vaksinën kundër COVID-19.

Në anën tjetër, brenda 24 orëve të fundit, nga 1,586 mostra të marra 253 kanë rezultuar pozitive, 646 kanë fituar betejën me COVID-19, ndërsa dy kanë vdekur nga COVID-19.