5,565 raste aktive me COVID-19 në Kosovë

Numri i rasteve me COVID-19 në Kosovë është rritur përsëri, nga 1617 testime të bëra nga IKShPK dhe Laboratorët e Licencuar nga Ministria e Shëndetësisë për testime të coronavirusit 661 raste kanë rezultuar të infektuar nga pandemia e coronavirusit.

Sipas njoftimit të IKShPK-së në Kosovë janë 5,565 raste aktive me SARS-CoV-2, përderisa javë më parë numri i rasteve aktive ishte dukshëm i ulët.

“Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 92 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 15,921 raste, kurse numri i rasteve aktive është 5,565”, thuhet në njoftimin e Institutit.

Në Kosovë sot janë shënuar edhe gjashtë vdekje si pasojë e infeksionit me COVID-19.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.