Qëndron Kastrati dhe Teutë Rrusta Foto: PSD

Qëndron Kastrati sqaron incidentin ku vetura e tij u sulmua me vezë

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, e ka pranuar se vetura në të cilën gjendej ai është sulmuar sonte nga disa persona në fshatin Hodonoc, ku ai kishte shkuar me ekipin e tij për t’ua shpjeguar qytetarëve reformën në arsim që po e synon administrata e tij.

Në një njoftim të publikuar para pak minutash, kryetari Kastrati ka thënë se diskutimet me prindërit e nxënësve dhe banorët e Hodonocit i kishin penguar një grup i vogël njerëzish.

“Të shtyer nga organizatorët, nxënësit u treguan shumë të zhurmshëm dhe nga pamundësia për tu dëgjuar fjalët që do të thoshim të gjithë, u detyruam ta ndërprejmë diskutimin”, ka thënë Kastrati.

Më tej, kryetari i Kamenicës ka thënë se dikush i ka keqpërdorur disa fëmijë, së pari për të bërë zhurmë në takim e pastaj për ta sulmuar me vezë veturën në të cilën gjendej ai.

“Do t’i shkojmë deri në fund hulumtimit të organizatorëve që janë në gjendje të keqpërdorin fëmijët për interesa të tyre”, ka shkruar ai.

Pavarësisht këtij incidenti, Kastrati ka thënë se do të vazhdojnë të diskutojnë me banorët për idenë e reformës në arsim dhe vlefshmërinë e saj.

“E kam ditur që nga fillimi se Reforma mund të më kushtojë mua, por jam i bindur se prej saj përfitojnë nxënësit. Prandaj, jam i gatshëm ta paguaj çdo çmim”, thuhet në sqarimin e kryetarit të Kamenicës.

Ky është reagimi i plotë i Qëndron Kastratit, i publikuar në profilin e tij në Facebook:

I vetëdijshëm që qytetarët nuk janë ende mjaftueshëm të informuar, reagimet janë shumë të kuptueshme.

Sot ishim ne Karaqevë të Poshtme dhe në Hodonoc për të vazhduar me diskutimet për Reformën.

Në Karaqevë të Poshtme debati ishte i dobishëm për të gjithë pjesëmarrësit. Argumentet e secilit janë shumë të vlefshme për ne.

Fatkeqësisht në Hodonoc një grup i vogël i njërzve na pengoi që të diskutojmë me prindërit e nxënësve dhe banorët e fshatit. Po e them fatkeqësisht sepse shumica e pjesëmarrësve ishin të interesuar për diskutime dhe debat të hapur. Gjithashtu, më vjen shumë keq që kishin keqpërdorur fëmijët për të bërë zhurmë dhe pastaj për të gjuajtur me vezë veturën në të cilën isha unë . Do t’i shkojmë deri në fund hulumtimit të organizatorëve që janë në gjendje të keqpërdorin fëmijët për interesa të tyre.

Megjithë kundërshtimet pa shpjegim të atyre pak njerëzve për të mos filluar fare takimin, me insistimin tim dhe banorëve të tjerë u futëm në shkollë për të diskutuar me ta. Të shtyer nga organizatorët, nxënësit u treguan shumë të zhurmshëm dhe nga pamundësia për t’u dëgjuar fjalët që do të thoshim të gjithë, u detyruam ta ndërprejmë diskutimin.

Protesta dhe format e tjera të mosbindjes janë normale për ne. Por, kur ato përdoren për ta ndaluar perspektivën zhvillimore të fëmijëve, kur nuk kanë mesazh, por veç zhurmë, kundërshtimi i ngjanë frikës konservatore nga përparimi. Ne do të vazhdojmë të jemi afër qytetarëve, për t’i dëgjuar të gjitha diskutimet, edhe nëse jemi të “rrezikuar” nga aksionet simbolike.

Ne do të vazhdojmë të diskutojmë me secilin banorë për idenë e reformës dhe vlefshmërinë e saj. E kam ditur që nga fillimi se Reforma mund të më kushtojë mua, por jam i binduar se prej saj përfitojnë nxënësit. Prandaj, jam i gatshëm ta paguaj çdo çmim.