Protokolli i Shtetit: Mustafa e Kurti ishin të ftuar në tubimin qendror për 20 vjetorin e çlirimit

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti nuk janë parë të kenë qenë të pranishëm në tubimin qendror për 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës, që u mbajt dje me 12 qershor në qendër të Prishtinës.

Megjithëse, në Protokollin e Shtetit, thonë se të dy liderët e partive opozitare vendore, kanë qenë të ftuar për pjesëmarrje.

Drejtori i Protokollit të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Orhan Hajrizi ka konfirmuar për KALLXO.com, dërgimin e ftesave.

“Po ju bëj me dije që të dy liderët  edhe z. Mustafa edhe z. Kurti kanë qenë të ftuar nga Protokolli i Shtetit, janë përgatitur ftesat si për të gjithë të tjerët. Ftesat e tyre janë dërguar, për z. Mustafa në seli të LDK-së dhe për z. Kurti në Kuvend”, tha ai.

Sipas Hajrizit, nga LDK-ja kanë marrë konfirmim se Mustafa nuk do të mund të jetë i pranishëm në ceremoni, ndërkaq nga Lëvizja Vetëvendosje shton se nuk kanë  marr ndonjë përgjigje.

“Në njoftim nga stafi im më bën me dije që asistentja e z. Mustafa e ka konfirmuar që nuk do të ketë mundësi z. Mustafa të jetë prezent. Sa i përket z. Kurti, ne e kemi dërguar ftesën në Kuvend dhe e kam konfirmim që përmes postës së brendshme të Kuvendit, ftesa është dërguar në kutinë postare të Lëvizjes Vetëvendosje. Konfirmim për pjesëmarrje s’ka pas, as negativ dhe as pozitiv”, theksoi Hajrizi për KALLXO.com.