Ilustrim: Pixabay

Propozimi për lejen prindërore: 8 muaj për nënën, 5 për babanë

Një rrjet i organizatave për të drejtat e grave dhe punëtorëve ka bërë një varg propozimesh për Ligjin e Punës.

Ndër të tjera, rrjeti propozon edhe leje prindërore prej 5 muajsh për babanë dhe 8 për nënën.

Ky propozim është bërë para hartimit të koncept-dokumentit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, i cili sipas zyrtares për legjislacion të kësaj Ministrie, Leunora Ahmeti Zylfijaj, pritet të miratohet në muajt në vijim dhe t’i kthehet Ministrisë përsëri në mënyrë që ajo ta fillojë hartojë Projektligjin e ri të Punës.

“Shpresojmë që ta dorëzojmë në Qeveri kah fundi i shtatorit apo fillimi i tetorit”, tha Ahmeti Zylfijaj për KALLXO.com.

Përderisa pushimi i lehonisë sipas Ligjit aktual të Punës është 12 muaj, këto organizata kanë propozuar shkurtimin e tij në 8 muaj për shkak të mundësisë së kthimit më të shpejtë të grave të punësuara në vend të punës.

Po ashtu, për pushimin e baballarëve ky Ligj përcakton se në bazë të një marrëveshjeje të përbashkët e ëma mund t’ia transferojë babait të fëmijës 3 muaj pushim atëror (me kompensim prej 50% të pagës mesatare nga shteti) dhe tre muaj të tjerë pa pagesë.

Ndërkaq, sipas propozimit të ri të rrjetit të OJQ-ve, e drejta për këtë pushim në propozimin për 5 muaj përfshin 1 muaj leje të atësisë ku 1 muaj paguhet me 70 për qind të pagës së tij bazë, 2 muaj me 50 për qind të pagës mesatare në Kosovë dhe 2 muaj pa pagesë.

Ndryshe, në dokumentin final të konsultimeve publike që i ka mbajtur MPMS për këtë dokument është mbrojtur versioni i Ligjit të tanishëm, me 12 muaj pushim të lehonisë ndërsa shkruhet po ashtu  se pjesërisht pranohet rekomandimi i OJQ-ve.

“Pushimi prindëror nuk do të jetë i kompensueshëm. Çështja e kompensimit do të jetë subjekt i rregullimit posa të krijohen mundësitë buxhetore të shtetit. MPMS planifikon që kjo materie do të jetë prioritet afatmesëm i rregullimit ligjor”, thuhet në dokumentin e konsultimeve publike.

Ndërsa gjatë këtij viti një anketë e D4D ka treguar se pagesa e lejes prindërore do t’i motivonte burrat ta shfrytëzonin atë.

“Hulumtimi i fundit i realizuar nga D4D gjatë marsit 2018, ka treguar që 30.6% e burrave në Kosovë do të merrnin leje prindërore 1-3 muaj në rast se ajo do të paguhej deri në 70% të pagës bazë, ndërsa 18% e burrave do të merrnin me të njëjtin kompensim deri në 6 muaj. 7.6% do të merrnin leje deri 9 muaj”, thuhet një komunikatë të kësaj organizate.

Po ashtu KALLXO.com mëson se në konsultimet publike për draft dokumentin për Ligjin e Punës kanë marrë pjesë Instituti Demokraci për zhvillim (D4D), Instituti Riinvest, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj), Qendra për Politika dhe Avokim (QPA), Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSShK), Shoqata e Mamive të Kosovës  (ShMAKS), Syri i Vizionit dhe Rrjeti i organizatave të Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptase të Kosovës (RrOGRAEK).