Policia kërkon ndihmë për identifikimin e një personi (Foto)

Policia e Ferizajt po kërkon ndihmën e qytetarëve për të identifikuar një person, të cilin zyrtarë policorë e kanë gjetur sonte rreth orës 18:00 në rrugën “Vëllezërit  Gërvalla” në Ferizaj dhe të njëjtin e ka sjellë në stacionin policor.

Aty, personi fillimisht nga mjekët është kontrolluar dhe sipas tyre personi është në gjendje të mirë shëndetësore, por ka probleme në të folur dhe nuk është i mundur komunikimi.

Sipas Policisë, personi nuk posedon kurrfarë dokumenti të identifikimit.

“Personi i gjinisë mashkullore, rreth 50-55 vjeç, i gjatë rreth 160 cm, flokë të thinjura, sy të kaltër, ka të veshur farmerka të kaltra, jakne dimri të zezë, xhemper të bardhë dhe këpucë të thella ngjyrë kafe”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia ka publikuar edhe fotot e personit dhe lut qytetarët që e njohin të lajmërojnë stacionin më të afërt të Policisë.