Lojtarët e Kf LLapi festojnë pas golit - Foto: Rtv21

Synimi i Llapit – titulli i kampionit në Superligën e Kosovës

Drejtues të klubit të futbollit Llapi nuk heqin dorë nga synimi për të fituar titullin e kampionit në elitën e futbollit të Kosovës.

Me 35 pikë nga 17 xhiro, Llapi ka përfunduar në pozitën e tretë në sezonin vjeshtor të Superligës së Kosovës.

Trajneri, Bekim Shotani, thotë për KALLXO.com se synimi ka qenë që klubi të jetë në pjesën e sipërme të tabelës.

“Është një ecuri pozitive duke e pasur parasysh se objektivat e klubit kanë qenë pjesa e sipërme e tabelës. Për vendin e parë në garë janë tri ekipe:  Feronikeli, Prishtina dhe Llapit. Mos të harroj se edhe ekipet e tjera kanë paraqitur futboll të bukur edhe secili ka pasur mundësi ta mposht secilin”, thekson ai.

Sa i përket pjesës së dytë të kampionatit, Shotani thotë se Llapi ka vetëm një synim.

“Llapi ka fituar pikë shumë si mysafir, të gjitha këto e kanë bërë një ecuri pozitive të kampionatit. Llapi është në objektiv, do të mundohet që në sezonin pranverore ta atakojë vendin e parë, sepse vendi i parë të dërgon në Europë edhe dihet që klubi pas pesë –katër viteve rresht është në objektiven, vendi i parë i dyti i tretë. Mendoj se sivjet do të ishte më e mira sikur Llapi ta zinte vendin e parë”, shton Bekim Shotani.

Për trajnerin e Llapit, xhirot 19 dhe 20, janë vendimtare për objektivat e tyre, pasi do të luajë si mysafir i Feronikelit dhe do ta presë Prishtinën në stadiumin “Zahir Pajaziti”.

“Qysh në fillim të kampionatit pranveror, pas xhiros së 18-të, Llapi do të takohet menjëherë në xhiron e 19-të dhe 20-të me Feronikelin edhe Prishtinën. Do të shkojmë në Feronikel dhe do të vijë Prishtina, domethënë aty për aty do të jetë dueli i drejtpërdrejt. Jam i  bindur në qoftë se dalim pozitiv me Feronikelin dhe me Prishtinën këtu, atëherë në pyetje do të jetë vendi i parë dhe asgjë më shumë”, thekson trajneri i Llapit.

E kapiteni, Lum Namani, thotë se Llapi është i pozicionuar aty se ku kanë qenë synimet e klubit.

“Kemi shkuar mjaft mirë, duke pasur parasysh se kemi pasur lëndime në fillim të kampionatit. Vetëm dy ndeshje i kemi luajtur me të njëjtin formacion, e kemi pasur pak të vështirë, por jemi aty ku kanë qenë synimet e klubit dhe duhet të vazhdojmë kështu”, tha Lum Namani.

Ai ka thënë se i vetmi synim për të dhe skuadrën e tij tani është që të shpallen Kampion të Kosovës, pas eliminimit nga Kupa e Kosovës.

“Po i vetmi opsion na ka mbetur kampioni i Kosovës dhe duhet të luftojmë deri në fund. Kemi gjasa pasi nuk janë shumë pesë pikë jemi mbrapa kemi gjasa shumë të mëdhaja”, tha ai.

Edhe mesfushori Behar Maliqi thotë që synimet e Llapit kanë qenë nga fillimi të hyjnë në garë për titullin e kampionit.

“Synimet tona prej fillimit të kampionatit kanë qenë që të hyjmë për titull të kampionit. Dihet që Llapi ka pasur një ekip shumë të mirë  në këto vitet e fundit, ka bërë edhe përforcime edhe synimet kanë qenë që ta marrim vendin e parë në këtë gjysmë sezon dhe të luftojmë për Kupën e Kosovës, për fat të keq gjërat nuk kanë shkuar shumë mirë. Nuk jemi shumë larg vendit të parë dhe vendit të dytë, jemi pesë pikë dallim, por nga Kupa jemi eliminuar”, tha ai për KALLXO.com.

Maliqi cek se Llapi ka pasur fat të keq sa i përket lëndimeve, pasi gjatë sezonit vjeshtor kanë pasur të lënduar lojtarët kryesorë, si Ahmet Jonuzi dhe Mentor Zhdrella.

“Fati nuk na ka përcjellë gjatë kësaj sezone,  kemi pasur shumë lëndime. Besoj që lojtarët kyç, Ahmet Jonuzi ka qenë gjatë tërë sezones i lënduar, Mentor Zhdrella disa ndeshje ka qenë i lënduar. Ata janë lojtarët kyçë dhe mungesa e tyre ka ndikuar… Duke i marrë parasysh gjithë këto probleme që i kemi pasur brenda ekipit, atëherë mendoj se ka qenë një sezon i suksesshëm”, tha ai.