Basketbollisti i Kosovës U20- Rron Uka

Rron Ukaj: Luajtëm me zemër në Shkup, nga Portugalia do të kthehemi me fitore

Kosova U20 e mbylli turneun miqësor në Shkup të Maqedonisë së Veriut me tri humbje nga tri ndeshje.

Djelmoshat e drejtuar nga trajneri Ibrahim Karabegu ndeshjen e parë e humbën ndaj Rusisë me rezultat 77:43.

Ndeshjen e dytë me Maqedoninë e Veriut e humbën me rezultat 77:55.

Ndeshjen më të dobët e patën ndaj Malit të Zi, ku e humbën me rezultat 78-33, duke arritur t’i shënojnë vetëm 33 pikë.

Para disa ditësh selektori Ibrahim Karabegu kishe deklaruar se këto ndeshje do t’i ndihmojnë që ta komponojnë ekipin më mirë për Europianin që do të mbahet nga 12 deri me 21 korrik në Matosinhos të Portugalisë.

Basketboll: Kosova U20 e gatshme për Kampionatin Europian në Portugali (VIDEO)

 

Basketbollisti i Kosovës U20, Rron Ukaj, në një bisedë për KALLXO.com ka treguar për eksperiencën e tyre në turneun në Maqedoninë e Veriut.

Uka thotë se ky turne ka qenë i mirëseardhur për ta dhe u ka shërbyer për ta parë formën e tyre. Ai po ashtu shton se kjo ndeshje do t’i shërbejë që t’i përmirësojnë gabimet për Kampionatin Europian në Portugali.

“Ky turnir për ne ka qenë shumë i mirëseardhur, duke e pasë parasysh që viteve të kaluara kemi shkuar në kampionate duke e zhvilluar vetëm një ndeshje me Shqipërinë U18. Ky turnir na ka ndihmu shumë me e pa se ku jena, ku i kem gabimet edhe çka kemi nevojë me përmirësu që me u paraqit sa ma mirë në Portugali, me prezantu shtetin tonë në mënyrën më të mirë të mundshme”, thotë 18 vjeçari për KALLXO.com.

Djaloshi i gjatë 200 centimetra, thotë se lojërat e humbura në këtë turne janë mësim i mirë për ta.

Ai thotë i bindur se së bashku më bashkëlojtarët e tij e kanë dhënë maksimumin në këto ndeshje duke luajtur me zemër për njëri-tjetrin.

“Këto lojëra të humbura janë mësim për ne, sepse kemi fitu përvojë të mirë. Trajneri i ka provu të gjithë lojtarët, u ka dhanë mundësinë të gjithëve me luajt edhe me e pa se ku jemi. Gjëja ma e rëndësishme është që të gjithë e kemi dhënë 200% në fushë edhe pse kemi pasë shumë gabime, kena lujtë me zemër edhe për njëri-tjetrin”, shton Rron Ukaj.

Uka i pyetur nga KALLXO.com se a beson se to arrijnë të shënojnë fitore në Kampionatin Europian në Portugali, shprehet optimist, bile thotë se do ta kalojnë edhe grupin.

“Po besoj fuqishëm. Kemi ende kohë me u përgatit edhe në kampionat me tregu lojëra të mira edhe pse e kemi një grup goxha të vështirë, por besoj se kemi me e kalu grupin edhe me i sjell Kosovës shumë fitore”, ka përfunduar ai.

Kosova do të jetë pjesë e Divizionit B dhe do të jetë në Grupin C me Suedinë, Holandën, Gjeorgjinë, Estoninë dhe Armeninë.