Basketboll: Kosova U20 e gatshme për Kampionatin Europian në Portugali (VIDEO)

Basketbollistët e rinj të Kosovës nën moshën 20 vjeçare (U20) i kanë nisur përgatitjet intensive për Kampionatin Europian që do të mbahet nga 12 deri me 21 korrik të këtij viti në Matosinhos të Portugalisë.

Kosova do të jetë pjesë e Divizionit B dhe do të jetë në Grupin C me Suedinë, Holandën, Gjeorgjinë, Estoninë dhe Armeninë.

 

Trajneri i Kosovës Ibrahim Karabegu tashmë i ka përzgjedhur 14 lojtarët prej të cilëve vetëm 12 priten të udhëtojnë për Portugali.

Djelmoshat e drejtuar nga Ibrahim Karabegu janë duke u stërvitur dy herë në ditë, në mënyrë që të kenë përfaqësim sa më të mirë në këtë garë të rëndësishme.

Deri tani të përzgjedhurit e Karabegut e kanë zhvilluar një ndeshje miqësore me Maqedoninë Veriore të cilën e kanë humbur me një pikë dallim 68:67.

Karabegu thotë për KALLXO.com se përgatitjet po shkojnë mirë dhe atmosfera në ekip është e mirë. Ai ka treguar se fazën e përgatitjeve do ta bëjnë deri më 10 korrik.

“Deri në atë kohë do të përgatitemi sa më mirë edhe besoj që kanë me qenë të përgatitun si në anën fizike taktike edhe teknike”, ka thënë Karabegu për KALLXO.com.

Përzgjedhësi i Kosovës thotë se turneu i cili do të mbahet në Maqedoninë Veriore prej 21 deri me 23 qershor, e ku Kosova do të përballet me Rusinë, Maqedoninë Veriore e Malin e Zi është një ngjarje e qëlluar për ta.

“Ne i kemi dy kundërshtarë që konkurrojnë vendin e parë në Portugali edhe e kemi një kundërshtar si Maqedonia, që është kundërshtarë mesatar”, shton ai.

Megjithatë Karabegu nuk është i kënaqur me formën fizike të lojtarëve. Ai thotë se lojtarët nuk janë ende të përgatitur fizikisht pasi kanë pushuar me të përfunduar kampionati e që tani po hasin në probleme fizike.

Por ai insiston që lojtarët të kenë përfaqësim të mirë në Kampionatin Europian.

“Sa i përket Portugalisë atje shkojmë për përfaqësim sa më të mirë, do të thotë me i luajt lojërat sa më mirë, ta prezantojmë Kosovën në shtetet e basketbollit dhe sportit, rezultatet t’i lejmë atje në Portugali, qysh do të rrjedhin nuk e di”,  është shprehur përzgjedhësi i Kosovës U-20 në kategorinë e djemve.

Kapiteni Dardan Kapiti thotë se janë duke u përgatitur maksimalisht dhe do ta japin maksimumin kur të luajnë në Portugali.

“Presim me e dhanë maksimumin edhe kur të shkojmë në Portugali. Atmosfera është e mirë gjithçka po shkon mirë”, thotë basketbollisti i Kolegjit Florida Atlantic në Amerikë.

Ai pret që ndeshjet paraprake miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi e Rusisë t’u ndihmojnë lojtarëve që të përmirësohen.

“Kombëtaret e mëdha do të na ndihmojnë shumë me e pa vetën ku jemi. Trajnerët shpresoj që kanë me i pa gabimet tona, kemi me ndryshu mbrojtjen, gjithçka që mundemi me ba me u përgatit maksimalisht për Portugali”, tregon ai.

Ndërkaq lojtari Ardit Pepa beson se Kosova U20 do të arrijë rezultatin më të mirë që e ka arritur ndonjëherë.

“Vetë fakti që jemi duke u përgatitur maksimalisht e dëshmon që kemi mundësi dhe kapacitet me tregu lojëra të mira me ato ekipe në grupin tonë”, shprehet optimist ish basketbollisti i Yllit.