Maratonisti i Bamirësisë

Atleti nga Prishtina, Korab Gashi vrapoi dy maratona brenda dy jave me qëllim të vetëm grumbullimin e parave për blerje të barnave për fëmijët e sëmurë me kancer. Ai përveq se sfidoi vetën me dy maratona  sfidoi edhe  miqtë e tij që për çdo kilometër që do të kalonte ata të ndanin një shumë parash për shoqatën  e fëmijëve “Care for Kosovo Kids”.

Pasioni i Korabit për sportin nisi me futbollin dhe basketbollin për të  përfunduar  me vrapimin e maratonave.

30 vjeçari nga Prishtina thotë se është i apasionuar pas vrapimit për shkak të mirave që ai sjell për shëndetin.

“Unë dhe maratonat s’ishte se e kisha imagjinuar, gradualisht duke larguar vetën shpesh nga pluhuri i Prishtinës drejt Gërmis lindi një dëshirë më e madhe për vrapin. Mbi të gjitha është aspekti shëndetësor ai që më shtyen të dal për vrap”, tha Gashi.

Megjithatë, në javët e fundit ai pati një motiv shtesë për të realizuar dy gjysmë maratona dhe një maratonë të plotë.

Ai nisi aventurën e tij me sfidën publike që bëri në Facebook në mënyrë që miqtë e tij të kontribojnë nga 10 cent për çdo kilometër që kalon në vrapim Korabi.

“Dua t’ju njoftoj se të tri maratonat që tentoj ti realizoj brenda 14 ditëve do ua dedikoj fëmijëve me kancer për të cilat përkujdeset fondacioni Care For Kosovo Kids. Prandaj kërkoj nga ju që për secilin km që do e vrapoj të më përkrahni me nga 0.10cent”, shkroi ai në Facebook muajin e kaluar.

Vrapimi i tij i parë në këtë sfidë ishte 21 kilometra apo gjysmë-maratona në Dubrovnik të Kroacisë të cilën e kreu për 1orë e  47 minuta dhe 12 sekonda.

Gashi thotë se  kjo garë ishte sfiduese për shkak të kushteve në terren.

“Duke qenë gara e parë dhe pasi kisha ende freskinë përkundër terenit jo të rrafshët arrita ta përfundoj për 1h:47min:12s”, rrëfen Gashi.

Afërsisht një javë më vonë, ai filloi aventurën e rradhës për të vrapuar dyfish më gjatë në një qytet tjetër të Ballkanit.

Më 7 maj ai shkoi në Shkup të Maqedonisë për të vrapuar maratonën e plotë, 42 kilmetra që e mbaroi në mbi 4 orë.

“Ditët e ardhshme ishin më stresuese kishin kaluar 7 muaj që s’kisha bërë maratonë të plotë 42km dhe Shkupi ishte garë të cilën e përmbylla me sukses me një kohë prej 4 orë e 13 minuta pa harruar mbështetjen që mora nga miq të mi dhe vrapues të tjerë gjatë garës”, tha Gashi për “Gazetën Jeta në Kosovë”.

Për të qenë gati për këto aktivitete ai kaloj një përgatitje fizike 16 javore.

Dhe në fund të dy javëve me aktivitete atë e priti sfida e fundit, gjysmë – maratona në Prishtinë më 14 maj.

Ai kaloi këto 21 kilometra për 1 orë e 52 minuta për të cilat thotë se ishin sfiduese për shkak të motit dhe ‘aksioni’ i vërtetë ishte pasi mbaroi kjo gjysmë-maratonë.

“Pasi mbarova kilometrat e fundit të Prishtinës në kushte tejet të nxehta me një kohë prej 1 orë e 52 minuta fillova për 5 ditë me radhë grumbullimin e të hollave nga të gjithë ata që ishin paraqitur vullnetarë në aksionin tim dhe me datën 22 Maj publikova listën e të gjithë atyre që kanë kontribuar dhe së bashku me menaxheren ndërlidhëse të fondacionit bëra donacionin e të hollave” tha Gashi.

Për 84 kilometrat që kaloi në vrapim, Gashi arriti të grumbullojë 575 euro të cilat i dha për shoqatën “Care for Kosovo Kids”.

Organizata  Care for Kosovo Kids, i regjistruar në Holandë dhe në Kosovë, është aktiv që nga viti 2013 Fondacioni ofron të gjitha barërat e nevojshme dhe kujdesin për fëmijët të cilët janë duke u trajtuar nga kanceri në Departamentin e Hemato / Onkologjisë Pediatrike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në Prishtinë.

Menaxherja ndërlidhëse e Fondacionit “Care for Kosovo Kids”, shprehu falenderim ndaj Korabit për kontributin e tij dhe siguroi se paratë që i ka dhuruar do i dedikohen fëmijëve të sëmurë.

“Ne i jemi shumë mirënjohës Korab Gashi-t, i cili vendosi që aktivitetin e tij sportiv ta përdorë si mënyrë për të mbledhur donacione për organizatën tonë. Shuma e të hollave të dhuruara nga Korabi është gjithsej 575 euro. Të gjitha të hollat do të përdoren direkt për të kontribuar në shërimin e fëmijëve nga kanceri”, tha Toplica.

Ajo gjithashtu shtori se çdo vit, “Care for Kosovo Kids” ndihmon në trajtimin e më shumë se 60 fëmijëve.

Korabi përveq porosisë së tij për rritjen e aksioneve të bamirësisë ai bëri thirrje për rritjen e praktikës së vrapimit nga të rinjtë në Kosovë.

“E di që shpesh kur vrapoj në disa pjesë të qytetit në Prishtinë njerëzit ende të shikojnë me kërshëri dhe hasi në komentet më të ndryshme si psh ‘’ a është tut ndjek najkush o djalë’’.  Por megjithatë shpesh ndalem me shumë njerëz edhe që nuk i njoh dhe flas për ecjen e vrapimin me plotë pasion si dhe benefitet e tij qoftë shëndetsore, qoftë si një rrugëdalje për ti larguar fëmijët nga vrashmëria e telefonave të mençur, qoftë të mëdhenjët nga problemet ditore, problemet në punë dhe si një gjë që mua padyshim më ka bërë një person më të dashur e më njerëzor”, përfundoi Gashi.