Festim ALidema, KF 'llapi'

Festim Alidema, kosovari që po i troket botës së futbollit (VIDEO)

Me tetë gola e dy asistime në Superligën e Kosovës në futboll, Festim Alidema po shijon suksesin të cilin nuk e kishte pritur që do t’i vinte kaq shpejt.

Ish- sulmuesi i Vllaznisë së Pozheranit që në vitin 2017 u transferua në klubin futbollistik ‘Llapi’ të Podujevës, është shndërruar në ankthin e mbrojtësve kundërshtarë.

Përshtatja me ekipin e ri i mori pak kohë meqë sezonin e parë e mbylli me vetëm tri asistime.

Por ai priti që gjithçka të marrë udhën e vet me kohë.

Sezoni aktual po del të jetë i Festim Alidemës, i cili nga 17 xhiro në Ipko Superligën e Kosovës, ka arritur të shënojë tetë gola dhe t’i bëjë dy asistime.

Alidema pas formës së mirë tij, ka zgjuar interesimin e klubeve nga Belgjika, Franca dhe Kroacia, e këtë e ka konfirmuar për Kallxo.com, drejtori i Llapit, Tahir Batatina.

Festim ALidema, KF ‘llapi’

21-vjeçari Alidema thotë se ka konkurrencë të skuadra e Llapit, pasi në klub ka lojtarë shumë cilësorë, mirëpo ai e ka shfrytëzuar rastin e dhënë nga skuadra e tij.

“Normalisht këtë sezon e kemi filluar me përgatitje shumë të mirë e kam qenë në një formë shumë të mirë dhe kam shënuar tetë gola, kam bërë dy asiste. Jam munduar me i ndihmu klubit sa më shumë . Është vështirë këtu në Llap, për shkak të konkurrencës, pasi ka shumë lojtarë cilësorë, mirëpo mua më është dhënë rasti dhe e kam shfrytëzuar si është më së miri”, thotë ai për KALLXO.com.

Djaloshi i ri nga Vitia ka ka folur edhe për ndjesinë kur ka shënuar tregolëshin e parë në karrierën profesionale në një ndeshje kundër Lirisë së Prizrenit dhe motivimin që mer nga bashkëlojtarët e tij me më shumë përvojë si Behar Maliqi e Mentor Zhdrella.

“Ka qenë një ndjenjë shumë e mirë sepse e kam shënuar he trikun e parë në karrierën time si lojtar profesionist në Superligën e Kosovës e me golat e mi e kemi mundur Lirinë me rezultat prej 3-2. Normalisht janë shumë lojtarë me përvojë dhe lojtarë cilësorë, normalisht që më motivojnë shumë  më përkrahin më mësojnë se ku i kam gabimet edhe më kanë përkrahur deri tani shumë”, thotë Alidema.

Golashënuesi më i mirë i Llapit në sezonin vjeshtor, ka  komentuar rreth interesimit të tij nga disa klube europiane, por synimi i tij ëhstë ta veshë fanelën kuqezi të klubit të njohur italian, Milan.

Foto: Kallxo.com

“Si çdo i ri në Superligën e Kosovës edhe unë kam ëndërr të luaj në Evropë, kam ëndërr të luaj një ditë për klubin futbollistik Milan, sepse është edhe klubi i im i zemrës. Mua më pëlqen sulmuesi brazilian Neymar i cili më lojën e tij dhe me driblimet e tij më frymëzon shumë”, thotë Alidema.

Aktualisht KF Llapi është në vendin e tretë në tabelën e Superligës me 5 pikë larg ekipit të vendit të parë, Prishtinës.

Foto: Kallxo.com