Foto: Komiteti Olimpik i Kosovës/Facebook

Ekipi kosovar i xhudos mësoi shortin për Lojërat Evropiane në Minsk

Ekipi kosovar i xhudos ka mësuar sot shortin për garat e Lojërave të dyta Evropiane që do të zhvillohen në Minsk të Bjellorusisë.

Kampionia Olimpike, Majlinda Kelmendi në kategorinë deri në 52 kilogramë, rrethin e parë do ta kalojë pa luftë, ndërsa në rrethin e dytë do të takohet me fituesen e çiftit: Fabienne Kocher (Zvicër) – Reka Pupp (Hungari).

Edhe kampionia e Evropës, Nora Gjakova, në kategorinë deri në 57 kilogramë, rrethin e parë do ta kalojë pa luftë, ndërsa në të dytin pret fituesen e çiftit, Ulyana Minenkova (Bjellorusi) – Priscilla Gneto (Francë).

Si Majlinda, ashtu edhe Nora do të garojnë të shtunën.

Kategoritë e tyre i nisin garat në ora 9:45 dhe 10:00 me kohën tonë lokale.