Analistët: Kosova së bashku me Anglinë kualifikohen për ‘Euro 2020’
Sot është tërhequr shorti për për kualifikimet e “EURO 2020”, ku Kosova do të jetë pjesë e Grupit A, me Anglinë, Çekinë, Bullgarinë e Malin e Zi.
“Dardanët” ia kishin dalë me sukses për kualifikimet e Ligës së Kombeve, ne Grupin 3 të Ligës D, ku kishin dalë të parët pa asnjë humbje, duke i befasuar të gjithë kritikët e futbollit.
Se a do t’ia dalë mbanë Kosova të kualifikohet përmes Grupit A, për kualifikimet e “EURO 2020”, me kombëtare superiore siç është Anglia e Çekia, KALLXO.com ka kontaktuar analistë dhe trajner të futbollit.
Trajneri Gani Sejdiu thotë se tani Kosova ka arritur në një nivel të tillë sa për të kanë respekt edhe kombëtaret e fuqishme si Anglia, duke thënë se në bazë të kësaj duhet të besojmë se mund ta kalojmë grupin.
“Të gjitha grupet dhe të gjithë kundërshtarët mund të konsiderohen si të vështirë, për përfaqësueset me më pak përvojë dhe histori, por Kosova në këtë moment ka arritur në një nivel tjetër, që do të thotë se edhe kombëtaret më të fuqishme na respektojnë edhe në aspektin sportiv mund edhe të na frikohen që do të thotë se duhet të besuar se mund të kalojmë grupin, por pa e futur presionin për këtë gjë”, thotë Sejdiu për Kallxo.com.
Sejdiu thotë se për Kosovën Çekia, Bullgaria e Mali i Zi, janë të kalueshme, përveç Anglisë të cilën e cilëson të pakalueshme. Ai thotë se “Dardanët” janë në gjendje ta kalojnë grupin, por sipas tij na duhet edhe pak fat.
“Përveç Anglisë të gjitha janë të kalueshme, sepse Çekia dhe Bullgaria nuk e kanë kualitetin e mëparshëm, sepse janë në një fazë tranzicioni të lojtarëve, ndërsa Mali i Zi mund të kalohet. Pra duhet të pranuar se të gjitha këto kombëtare janë para nesh me nivelin dhe kualitetin dhe përvojën e tyre, por ne jemi në gjendje të bëjmë befasinë vetëm na duhet edhe fati”, shprehet Gani Sejdiu.
Ndërsa analisti sportiv dhe ish-futbollisti i Kosovës, Genc Sermaxhaj thotë që Kosova është me fat që është në Grupin A, e që në letër duket i lehtë, por në praktikë varet nga Kosova.
“Jemi me fat që grupi A në letër duket i lehtë, a do të jetë edhe në praktikë e tillë, kjo varet nga ne. Gjithsesi se jam shumë optimist se do të bëjmë shumë edhe në kualifikimet e EURO 2020, sikurse në Ligën e Kombeve. Anglia dhe Çekia janë dy kundërshtarë të fuqishëm dhe me shumë përvojë, ndërsa Bullgaria dhe Mali i Zi më pak. Kosova po kalon në formën e saj më të mirë, por a do të kemi formën e njëjtë edhe në ndeshjet kualifikuese mbetet të shihet”, thotë për Kallxo.com Genc Sermaxhaj.
Sermaxhaj beson se Kosova i ka gjasat e mira që të kualifikohet, duke e përjashtuar Anglinë, për të tjerat ekipe janë të kalueshme dhe “Dardanët” do të jenë në “Euro 2020”.
“Gjasat janë të mira që të kualifikohemi, hiq Anglinë, nëse me tjerat kemi rezultate pozitive, ne jemi në Europianin 2020. Duhet të jemi me këmbë në tokë, dallojnë ndeshjet e Ligës së Kombeve me eliminatoret e Europianit. Prandaj duhet të përvetësojmë më shumë lojën tonë, të bëhemi edhe më të fuqishëm sepse kemi potencial”, potencon Genc Sermaxhaj.
E për analistin sportiv Muhamet Dragusha, Kosova e ka rastin tani që t’i tregojë edhe shteteve të pasura me futboll, se “Dardanët”, kanë talent dhe vlera të futbollit. Sipas tij, Anglia, është favorite, kurse kombëtaret tjera të përballueshme.
“Grupi i fortë shumë, është e mirë për futbollin e Kosovës, tashmë ta promovojmë edhe në shtetet e pasura në futboll dhe të tregojmë talent dhe vlera është kënaqësi që kemi në grup një ekip si Anglia që është djepi i futbollit europian. Anglia është super favorite, kurse Çekia, Mali i Zi dhe Bullgaria, mendoj që kanë cilësi më të mëdha se Kosova, por edhe Kosova ka ngritje dhe diferenca me këto tri shtete tjera përveç Anglisë, do të jetë përvoja e tyre në këso lloje kampionate dhe lojtarët që janë në nivele të larta në klubet e tyre”, potencon ish-futbollisti i Kosovës.
Muja shprehet se dëshira është që të përfundojmë në vendin e dytë, edhe pse jemi të vetëdijshëm që do ta kemi të vështirë.
“Dëshira sigurisht është që të jemi në vendin e dytë në grup dhe duhet të besojmë, pasi Kosovë është në ngritje të cilësisë dhe kualitetit të lojës në një nivel të lartë, por e dimë që do të jetë e vështire pasi tashmë kemi kombëtare të një niveli më të lartë”, tha ai për Kallxo.com.
Kampionati Europian i Futbollit “Euro 2020”, është kampionati i 16-të i organizuar nga UEFA, i cili mbahet çdo katër vite për ekipet kombëtare të Europës.
“Euro 2020” do të fillojë në qershor, ku do të marrin pjesë 24 kombëtare, dhe të do përfundojë në korrik.
E veçanta e këtij kampionati është se do të zhvillohet në 12 vende të ndryshme.