Limaj: Në dialog shkojmë për njohje nga Serbia, asgjë tjetër

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, njëherësh edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka thënë se grupi i ri negociatorë tregon që ‘temat nacionale nuk janë të destinuara për mazhorancën apo për një grup politik’.

Gjatë debatit që u zhvillua në konferencën “Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, Limaj ka deklaruar se përpjekja e kësaj qeverie është që t’i jap impuls të ri çështjes së dialogut.

“Ne kemi dashur që në këtë fazën finale duke qenë të gjithë të bashkuar të ndërtojmë një platformë për t’i harmonizuar qëndrimet. Ideja dhe detyra jonë është si me e kthy në binar dhe si me u bo bashkë, nuk duhet ta kemi presionin e kohës. Detyrë mbi detyra është që t’i ofrojmë vendit tonë shtetësinë.”, ka thënë zëvendëskryeministri.

Sipas Limajt, dialogut të tanishëm me Serbinë po i mungon titulli.

“Çdo dialog ka titull. Në Rambuje titulli ka qenë ‘ndërprerja e luftimeve’, Vjena ka pas titull ‘Dialogu për statusin’, Brukseli ‘bisedime për normalizim e marrëdhënieve’ e kjo sot duhet ta ketë titull ‘dialogu për njohjen e Kosovës’. Ne duhet të shkojmë për njohje dhe për asgjë tjetër.”, ka shtuar ai.

Për zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj, platforma që përfaqëson shtetësinë e Kosovës duhet ndërtuar vetëm në Kuvendin e Kosovës dhe jo nga parti të caktuara politike.

“Nëse nga Serbia nuk janë të gatshëm për njohjen e Kosovës, ne i presim kurdo që të jenë gati. Gjatë bisedimeve ka ndryshuar diskursi i politikës në Serbi. Forcat politike në Kosovë duhet t’i lënë kalkulimet partiake. Vendi ku ndërtohet platforma, është Kuvendi i Kosovës. Duhet ndërtuar një dokument i cili përfaqëson Kosovën.”, tha mes tjerash Limaj.

Duke përdorur një ‘mesele’ me ushtarë të cilët po ruanin kufirin, Limaj ndërlidhi situatën duke thënë se gjendja kur “na kishe po shkojmë në dialog të bisedojmë edhe ata kishe po vijnë me dialogu duhet të përfundoj.

“Kosova nuk ka me pranu që me rrënu edhe me negociu sovranitetin e vet. Kushdo që pret diçka të tillë po pret gabim.”, ka përfunduar zëvendëskryeministri Limaj.