Prokuroria Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Zenjullah Gashi merr besimin e KPK-së për kryeprokuror të Prokurorisë Themelore të Prishtinës

 

Zenjullah Gashi  është zgjedhur në detyrën e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës me një mbështetje të shumicës së anëtarëve të KPK-së.

Me një rezultat prej 7 vota për, 1 kundër dhe 2 abstenime, Gashi do të fillojë mandatin e tij si kryeprokuror nga 1 janari i vitit 2024.

Gjatë muajit nëntor pesë kandidatë për pozitat e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale dhe asaj të Prokurorisë së Prishtinës janë intervistuar.

Kandidat i vetëm për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë ka qenë Zejnullah Gashi pasi prokurorja Fitore Sadiku, nuk i kishte plotësuar kriteret për të kandiduar për pozitën e kryeprokurores dhe kundërshtimi i saj ishte refuzuar nga KPK.

Kurse kandidatët për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës kanë qenë prokurorët Atdhe Dema, Blerim Isufaj, Naim Abazi dhe Valdet Gashi.

Blerim Isufaj merr besimin e KPK-së për ta drejtuar Prokurorinë Speciale edhe për katër vite

Sipas njoftimit të KPK-së, procesi i intervistimit të kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë është monitoruar nga përfaqësues të Ambasadës Amerikane, Misionit për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Zyrës së BE-së në Kosovë, Programit të BE-së për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë (EUKOJUST) dhe shoqërisë civile.