Vazhdon dëgjimi i dëshmitarëve në rastin e ‘Zonës Ekonomike në Malishevë’

Janë dëgjuar 3 dëshmitarët e radhës në rastin e ‘Zonës Ekonomike në Malishevë’ për të cilën janë të akuzuar Ragip Begaj dhe 7 të tjerë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Dëshmitarët që u deklaruan sot ishin Mehmet Berisha, Beqë Elshani dhe Besim Jonuzaj.

Mehmet Berisha dëshmoi që në me rastin e përzgjedhjes së fituesit në proces të privatizimit, lejimi i personave të shesin tokën apo asete të ndërmarrjes nëse ende nuk është nënshkruar kontrata finale është i ndaluar.

“Sa i përket procedurave të brendshme të AKP-së një veprim i tillë është i ndaluar”- tha dëshmitari.

Tutje ai shtoi se privatizuesi pronën e privatizuar mund ta shfrytëzoj, shes dhe tjetërsoj sipas ligjit.

“Përfituesi apo blerësi apo privatizuesi në momentin e blerjes të asetit nga Agjensia Kosovare e Privatizimit fiton statusin e qirambajtësit për 99 vite, me tiparet e pronarit ligjor. Domethënë pronën e privatizuar mund ta shfrytëzon, mund ta shes, mund  ta tjetërsoj ashtu siç është përcaktuar me Ligjin për të Drejtat Pronësore të Republikës së Kosovës”- tha Berisha.

Dëshmitari i radhës Beqë Elshani deklaroi se kishte blerë tokë rreth 25 hektarë nga Ahmet Rrahmanaj me çmim prej 15 euro për ari dhe pagesën e kishte bërë me këste.

Sipas dëshmitarit të tretë, Besim Jonuzaj, i akuzuari në këtë rast Ahmet Rrahmanaj i kishte shitur edhe 15 hektarë tokë babait të Besimit në shumë totale prej 37,500 euro.

Pagesa për këtë tokë, dëshmitari Jonuzaj tha se është bërë përmes llogarisë bankare së tij pasi që babai i të njëjtit nuk kishte llogari.

Prokuroria Speciale vitin e kaluar kishte ngritur aktakuzë ndaj Ragip Begajt, Hajdin Berishës, Bashkim Krasniqit, Malë Krasniqit, Bajram Hasanit, Faton Thaçit, Nazmi Kafexhollit dhe Ahmet Rrahmanajt.

Sipas dosjes së prokurorisë Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli dhe Faton Thaçi akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Prokuroria pretendon se të akuzuarit si persona zyrtarë duke keqpërdorur detyrën kanë mundësuar shpronësimin në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik, si dhe duke e shpallur këtë pjesë zonë me interes të veçantë.

Nazmi Kafexholli sipas aktakuzës së prokurorisë akuzohet për veprën e mashtrimit.

Për këtë Kafexholli akuzohet se kishte përfituar grante nga Ministria e Bujqësisë në atë mënyrë që duke qenë në cilësinë e inspektorit në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës dhe duke ditur për krijimin e Zonës Ekonomike, kishte marrë me qera pronën nga i ndjeri M.H. dhe në të kishte ngritur pemishte.

Ndërsa Ahmet Rrahmanaj nga prokuroria akuzohet për shpëlarje të parave duke ditur se këto parcela janë blerë me aktivitete kriminale i ka transferuar dhe tentuar që t’i transferojë me qëllim të shmangies nga pasojat juridike.

Raportimet e KALLXO lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK