Shoqata e Prokurorëve të Kosovës e shqetësuar për kërcënimin e prokurorëve

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës përmes një komunikate për media ka shprehur shqetësim lidhur me kërcënimet e shpeshta që po i bëhen prokurorëve të shtetit kohëve të fundit.

Gjatë ditës së sotme Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se është njoftuar se prokurori i Krimeve të Rënda në Prokurorinë e Ferizajt, Rasim Maloku, nëpërmjet një mesazhi telefonik ka pranuar sërish kërcënime me likuidim fizik të familjarëve të tij.

Pas këtij njoftimi, përmes një komunikate për media edhe Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ka shprehur shqetësim lidhur me kërcënimin që i është bërë prokurorit Rasim Maloku.

“Kërcënimi i serishëm me likuidim fizik ndaj prokurorit të Krimeve të Rënda të Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Rasim Maloku dhe familjes së tij, nëpërmjet një mesazhi telefonik, brenda këtij muaji është shqetësuese për shoqatën e prokurorëve të Kosovës”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Prokurorëve të Kosovës.

Përmes kësaj komunikate Shoqata e prokurorëve u ka bërë thirrje për gjitha institucionet të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për arrestimin e secilit person që bën kërcënime të tilla ndaj prokurorëve të shtetit të Kosovës.

“Shoqata e prokurorëve të Kosovës, dënon çdo akt të kundërligjshëm nga kushdo qoftë dhe në çfarëdo mënyre  që vjen kundër prokurorëve të shtetit. Kërcënimet apo sulmet ndaj prokurorëve të shtetit, nuk do të lëkundin asnjë prokurorë që të zbatoj ligjin dhe të ndërmerr të gjitha veprimet e mundshme ligjore për të sjellë para drejtësisë të gjithë ata që dyshohen se kanë kryer vepra penale”, thuhet tutje në reagimin e Shoqatës së Prokurorëve.

Ditë më parë Këshilli Prokurorial i Kosovës kishte njoftuar për kërcënimin që i ishte bërë prokurorit Rasim Maloku dhe njëherësh kishin theksuar se qëndrojnë fuqishëm në përkrahje të prokurorit duke ofruar mbështetje të plotë për punën e tij gjatë ushtrimit të funksionit në ndjekjen e kryesve të veprave penale.