ILUSTRIM - Dhuna në familje, Foto: Pixabay.com

Recidivisti i dhunës në familje, dënohet për të katërtën herë nga gjykata

Një muaj para fillimit të pandemisë, një grua nga Ferizaj ishte rrahur nga burri i saj. Ajo ishte rrahur nga burri pasi atij i ‘kishte penguar pse po rrinte viktima në telefon’.

Kjo nuk ishte hera e parë që kjo grua u rrah nga burri i saj. Ajo ishte rrahur edhe tri herë të tjera brenda një viti e një muaji nga bashkëshorti.

Sipas dosjes së prokurorisë, në shkurt të vitit 2020, në orët e vona të mbrëmjes burri i saj e kishte goditur atë në fytyrë e qafë me shuplaka.

Por ndaj burrit recidivist i dhunës në familje, Gjykata e Ferizajt kishte shqiptuar dënim minimal.

I njëjti edhe pse ishte i dënuar tri herë më parë nga Gjykata pikërisht për dhunë ndaj gruas së tij, u dënua me 6 muaj burgim, minimumin që parasheh ligji.

Për dhunën e ushtruar, viktima i ishte drejtuar policisë. Ajo kishte dhënë deklaratë dy herë, më 22 dhe 27 shkurt të vitit 2020.

Shkak i kësaj dhune, sipas deklarimeve të viktimës por edhe kryerësit të dhunës ishte telefoni.

Gjatë hulumtimit të Kallxo.com në dosjen e këtij rasti, nga deklarimet e viktimës kuptohet se e njëjta nuk posedonte telefon, dhe telefonin ia kërkonte burrit të saj për t’i kontaktuar familjarët e saj.

Në dosje theksohet se për dhunën që burri po ushtronte ndaj saj ishte në dijeni vjehrri i saj. Por, sipas të dhënave që përmban dosja, vjehrri kishte refuzuar t`ia jepte telefonin nuses së djalit, por i kishte telefonuar personalisht familjen e saj duke i kërkuar që të vinin ta merrnin vajzën e tyre.

Dorëzimi i kallëzimit penal për këtë rast ishte deponuar në Prokurori më datë 2 mars 2020, kurse ishte pranuar nga e njëjta më 11 mars 2020.

Sipas këtij dokumenti, çifti që nga fillimi i martesës, për 2 vite e gjysmë nuk kishin pasur raporte të mira.

Dhunën, i akuzuari e kishte arsyetuar me faktin se bashkëshortja e tij flinte deri vonë dhe e përdorte shumë telefonin.

Në dosje theksohet se pas këtyre problemeve në mes të çiftit, prindi i viktimës kishte kërkuar nga dhëndri, që vajzën e tij t`ia dërgonte në shtëpi.

Aktakuza

Prokuroria më 26 maj 2020 kishte nxjerrë aktvendim mbi fillimin e hetimeve, 2 muaj pas pranimit të kallëzimit penal. Viktima kishte dhënë deklaratë në Prokurori më datë 3 qershor 2020 ku kishte qenë prezent edhe Mbrojtja e Viktimave.

Aktakuza ishte ngritur të nesërmen më datë 4 qershor 2020, pas dhënies së kësaj deklarate nga viktima.

Burri i dyshuar për ushtrimin e dhunës ndaj gruas kishte dhënë deklaratë në polici më datë 25 shkurt 2020. Ai kishte mohuar ta ketë rrahur gruan e tij, mirëpo e kishte pranuar se kishin pasur mosmarrëveshje.

Sipas hulumtimit të shkresave të kësaj lënde, për shenjat e dhunës që gruaja e tij i kishte në fytyrë, ai kishte thënë se ia kishte shkaktuar nëna e saj.

Mirëpo, fajin e kishte pranuar në seancën e shqyrtimit në shtator të vitit 2020.

Këtë pranim të fajësisë nuk e kishte kundërshtuar prokuroria, kurse avokati mbrojtës i kryerësit sipas dosjes së gjykatës ishte bërë në konsultim dhe pa ndikime.

Pranimi i fajit në shqyrtimin fillestar dhe shfaqja e pendesës ishin rrethanat lehtësuese të cilat gjykata i mori në konsideratë në matjen e lartësisë së dënimit.

Këtë veprim, prokuroria e kishte kualifikuar si “Lëndim i lehtë trupor”, i inkriminuar  me nenin 185 të Kodit tonë Penal.

Në bazë të këtij Kodi, vepra e kryer nga kryerësi “ Lëndim i lehtë trupor” kur kryhet ndaj viktimës së ndjeshme, ose është e motivuar sipas kombësisë, gjuhës, besimit fetar ose mungesës së besimit fetar, ngjyrës së lëkurës, gjinisë, identitetit gjinor, orientimit seksual, ose për shkak të afërsisë me persona me njërën nga këto karakteristika të mbrojtura kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në tre (3) vjet.

Në këtë rast evidentohet se Gjykata ka shqiptuar dënimin minimal, pavarësisht rrethanave rënduese, në aktgjykimin e saj të nxjerrë në shtator të vitit 2020 dy ditë pas mbajtjes së shqyrtimit të datës 16 shtator 2020.

Bazuar në procesverbalin e rastit figuron se ky shqyrtim ishte i hapur për publikun, duke rënë kështu në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale.

Kodi i Procedurës Penale me nenin 289, parashihet përjashtimi i publikut kur është në interes mbrojtja e jetës familjare të të akuzuarit, të dëmtuarit ose pjesëmarrësve tjerë në procedurë.

Këtij rasti nuk i munguan as rrethanat rënduese. Si të tilla, gjykata evidentoi: recidivizmin, dashjen dhe shkallën e lartë të përgjegjësisë.

Ndaj  kryerësit, ishin shpallur tri aktgjykime dënuese nga e njëjta gjykatë.

Brenda 1 viti, gusht 2019 – shtator 2020,  mbi të akuzuarin rëndonin plot katër aktgjykime të formës së prerë, ku secili prej tyre i është shqiptuar për veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor” e të cilat janë të kryera brenda marrëdhënies familjare.

Vlen të ceket se brenda kohës kur recidivistit të dhunës i ishte shqiptuar aktgjykimi dënues, i njëjti ka përsëritur aktin e dhunës.

Sipas gjykatës, kryerësi i dhunës ka filluar vuajtjen e dënimit më 9 gusht të vitit 2021, por kjo gjykatë nuk posedon evidencë se personi ka përfunduar vuajtjen e dënimit.

Historiku i dosjes penale

I akuzuari për dhunën e ushtruar ndaj bashkëshortes së tij në herën e parë ishte dënuar nga gjykata në gusht të vitit 2019 me 6 muaj burgim me kusht.

Kurse herën e dytë, në tetor të vitit 2019 Gjykata i kishte shqiptuar dënim me 1 muaj burgim efektiv, por ky dënim i ishte zëvendësuar me gjobë prej 200 euro.

Po ashtu, edhe me aktgjykimin e tretë në shkurt të vitit 2020, i akuzuari ishte dënuar me 1 muaj burgim efektiv, i cili ishte zëvendësuar me gjobë 300 euro.

Kallxo.com raportoi se 6 raste të dhunë në familje kanë ndodhur vetëm gjatë javës së dytë të muajit maj të këtij vitit në rajonin e Ferizajt, sipas njoftimit nga Policia e Kosovës .

Sipas policisë, nga data 15 deri më 21 maj 2023 janë raportuar 6 raste të dhunës në familje, prej tyre 5 raste janë raportuar në Ferizaj dhe 1 rast në Kaçanik.

Dhuna në familje, 6 raste raportohen në një javë në rajonin e Ferizajt

SHËNIM: Pasur parasysh se kemi të bëjmë me një dosje të dhunës në familje, me qëllim të mbrojtjes identitetit të palëve të përfshira në këtë rast – në artikull janë larguar të dhënat e palëve duke përfshirë edhe inicialet e tyre.  

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OSHC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19″. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.