Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pesë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë

Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar në Polici në 24 orët e fundit në Kosovë.

Rastet kanë ndodhur në Prishtinë, Ferizaj,  Gjakovë dhe dy raste në Prizren.

Në Prishtinë një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka kanosur verbalisht bashkëshorten e tij. Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 18:30.

Sipas Policisë i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Një burrë në Ferizaj është arrestuar pasi dyshohet që pas një mosmarrëveshje ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Ngjarja ka ndodhur dje në ora 09:00 dhe sipas Policisë i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Në Prizren një burrë ka raportuar se ka pasur mosmarrëveshje me motrën e tij për shkak të pronësisë. Rasti është raportuar dje rreth orës 13:45.

Në lidhje me rastin është intervistuar edhe e dyshuara, në konsultim me prokurorin, lënda e rastit procedohet në procedurë të rregullt.

Një tjetër rast i dhunës në familje është raportuar dje në Prizren. Një grua ka raportuar se burri i saj në vazhdimësi ushtron dhunë psikike ndaj saj.

Sipas njoftimit të Policisë janë  intervistuar të dy palët, në konsultim me prokurorin lënda e rastit trajtohet në procedurë të rregullt.

Në Gjakovë një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga djali i saj. Rasti ka ndodhur dy ditë më parë ndërsa viktima ka pranuar tretman mjekësor.

“I dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në spital dhe sipas mjekëve ai kishte konsumuar medikamente në sasi të tepruar”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.