Hoxhe Enes Goga dhe gazetarja Arbana Xharra

Padia e Hoxhë Enes Gogës ndaj gazetares Arbana Xharra dhe Gazetës ‘Zëri’, anulohet seanca e sotme

Në Gjykatën e Prishtinës sot është paraparë të mbahej seanca e shqyrtimit kryesor lidhur me padinë e dorëzuar shtatë vite më parë nga kryeimami i Pejës, Hoxhë Enes Goga, në rastin në të cilin ai ka kërkuar 20 mijë euro dëmshpërblim për pretendimet e tij shpifje dhe fyerje nga gazeta “Zëri” dhe 20 mijë euro të tjera nga gazetarja Arbana Xharra, lidhur me një shkrim të publikuar në vitin 2016.

Mirëpo kjo seancë u anulua pasi gjyqtarja e rastit Lindita Berisha nuk ishte e pranishme dhe ende nuk është caktuar data e re për mbajtjen e seancës.

Padia është dorëzuar në lidhje me artikullin me titull “Imamët e dyshuar për Terrorizëm po përgatitësin fushata Denigruese kundër Imamëve të Moderuar”, i publikuar më 6 prill të vitit 2016, i cili sipas Gogës përmban shpifje dhe fyerje.

Seanca e fundit lidhur me këtë rast ishte mbajtur me 23 tetor të këtij viti.

Sipas padisë së parashtruar nga Hoxhë Enes Goga, në prill të vitit 2016, gazeta “Zëri”, me autore Arbana Xharra në lajmin e publikuar me titullin “Imamët e dyshuar për Terrorizëm po përgatitësin fushata Denigruese kundër Imamëve të Moderuar”, mediumi në fjalë ka përhapur lajme të pavërteta të cilët njëkohësisht konsiderohen si fyerje.

Sipas paditësit, në këtë shkrim të vitit 2016 ka shpifje dhe fyerje kur thuhet “Enes Goga është lider i lëvizjes vehabiste në regjionin e Pejës, lëvizje e cila është e lidhur me krimin e organizuar, trafiqet e drogës, haraçin ndaj biznesit, shantazhi rrahje brutale etj. Enes Goga si lider i lëvizjes vehabiste, ka siguruar dosje nga prokuroria e shtetit dhe ka në shërbim pjesëtar të Policisë së Kosovës të cilët i’u sigurojnë informacione të klasifikuara brenda dosjes policore, e të cilat informacione përdoren si mjete denigrimi kundër imamëve të moderuar Brenda BIK.”

“Enes Goga është suspenduar nga pozita e tij si kryeimam dhe se është i dyshuar për përdhunim të varrezave”- citohet shkrimi i palës së paditur (Arbana Xharrës), në padinë që e kishte parashtruar Goga.

Ky lloj i shkrimit sipas paditësit është tërësisht i pabazuar dhe i pavërtetë dhe se i mungon profesionalizmi në fushën e gazetarisë.

Goga përmes padisë pretendon se përmes këtij lajmi është dëmtuar reputacioni, gjegjësisht i është cenuar autoriteti si kryeimam në Komunën e Pejës. Në bazë të padisë i njëjti theksoi se ka dhimbje të theksuara shpirtërore pas publikimit të këtij lajmi.

Goga përmes kësaj padie ka kërkuar nga gjykata shumën prej 20 mijë eurove prej gazetës “Zëri” në emër të kompensimit të dëmit jomaterial. Njëjtë ka kërkuar 20 mijë euro edhe nga autorja e shkrimit, Arbana Xharra shumën prej 20 mijë euro në emër të kompensimit të dëmit jomaterial.

Sipas përgjigjes në padi të gazetës “Zëri” dhe autores së lajmit në fjalë, artikulli në fjalë nuk i drejtohet Enes Gogës si individ i cili ka siguruar qasje në Prokurorinë Speciale dhe në Policinë mirëpo artikulli flet në përgjithësi për pjesëtarët e këtij grupi vehabist duke mos iu referuar në asnjë pikë Enes Gogës, si vijë ndërlidhëse e këtij grupi me PSRK-në dhe Policisë së Kosovës.

“Andaj sipas përgjigjes në padi, pretendimet e Gogës janë të pavërteta” – thuhet në përgjigjen në padi.

Në përgjigjen në padi kundërshtohet pjesa në të cilën kontestohet profesionalizmi i lajmit duke argumentuar se i njëjti bazohet në raportin e inteligjencës së karakterit ndërkombëtar në të cilin raport thuhet se Goga është lider i lëvizjes “Vehabiste” në Pejë.

Sipas përgjigjes në padi, ky raporti se kjo lëvizje “Vehabiste” në Pejë është e lidhur me krim te organizuar prej trafiqeve të drogës e deri në haraç kundër bizneseve.

Ndërsa sa i përket pjesës së dëmtimit të varreve apo kufomave, në përgjigjen në padi përmendet fakti se nuk është përmendur Goga si i akuzuar por si person që ka qenë i dyshuar për “Veprimtari lidhur me terrorizmin dhe nxitjen e urrejtjes fetare në Kosovë”.

Dhe se është e pakontestueshme se paditësi ka qenë i arrestuar dhe i dyshuar për veprimtari të lidhur me terrorizëm dhe nxitje të urrejtjes fetare.