Gjykata Themelore në Pejë - Foto: KALLXO.com

Konfirmohet aktakuza ndaj dy zyrtarëve të KEDS-it dhe avokatit në Pejë

Gjykata e Pejës e ka konfirmuar aktakuzën që ngarkonte dy zyrtarë të KEDS për korrupsion, si dhe një avokat për vepër penale frikësimi gjatë procedurës penale.

Zyrtarët e KEDS-it, Gëzim Gashi e Bekim Thaqi, po akuzohen nga prokuroria për marrje të ryshfetit në shumë prej 200 eurove.

Ndërsa avokati Murat Krasniqi akuzohet se ka ofruar shumën prej 1,000 euro të dëmtuarit Uka, me qëllim që ta ndryshojë deklaratën e dhënë në polici.

“Gjykata kërkesën e mbrojtësve të akuzuarve respektivisht të akuzuarve të për hedhjen e aktakuzës, e ka refuzua si të pa bazuar dhe në kuptim të nenit 250 par.3, të KPPK-së, dhe ka vendosur si në pikën I të dispozitivit të këtij aktvendimi. Provat që janë marrë gjatë fazës së hetimeve, janë marrë konform dispozitës së nenit 257 të KPPK-së dhe do të shqyrtohen në shqyrtimin gjyqësor”, thuhet në arsyetimin e aktvendimit të Gjykatës.

Sipas aktakuzës zyrtarët e KEDS-it shkojnë në shtëpinë e të dëmtuarit Feim Uka, duke i bërë presion me arsyetimin se është duke zhvilluar biznes të paligjshëm për shkak të shumës së lartë të energjisë elektrike dhe për të mos lajmëruar në KEDS, kërkojnë nga ai shumën prej 200 euro.

Dosja e prokurorisë tregon se i dëmtuari e lajmëron policinë dhe pas takimit me të akuzuarit, secilit ia jep shumën prej 100 euro dhe pasi të akuzuarit i fusin të hollat nën karrigen e shoferit, arrestohen nga policia.

Ndërsa, avokati Krasniqi akuzohet se ka kanosur dhe ofruar shumën prej 1000 euro të dëmtuarit Uka, me qëllim që të ndryshoi deklaratën e dhënë në polici.