Gjykimi ndaj policit të akuzuar se udhëzoi palët t`i fshinin videot nga kamerat e sigurisë

Deklarohet i pafajshëm zyrtari policor, për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe manipulimit me prova

Hasan Makolli, zyrtar policor, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe manipulim me prova është ulur sot në bankën e të akuzuarit.  Ai është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave që rëndojnë mbi të.

Pasi që i akuzuari gjendet në masën e arrestit shtëpiak, mbrojtja e tij, avokati Alban Makolli propozoi që të akuzuarit t’i hiqet masa e arrestit shtëpiak.

“Propozoj që të mbrojturit tim, t’i hiqet masa e arrestit shtëpiak dhe të mbrohet në liri”, tha avokati Makolli.

Kurse prokurorja e shtetit, Dulina Hamiti kundërshtoi propozimin e avokatit Makolli.

“E kundërshtojmë propozimin e mbrojtësit për ndërprerjen e arrestit shtëpiak, pasi konsiderojmë se ende ekzistojnë kushtet ligjore për të cilat është paraqitë kjo masë”, tha prokurorja Hamiti.

Sipas Aktakuzës, i pandehuri Hasan Makolli në cilësinë e personit zyrtar- deri sa punonte në Njësinë për Reagim të shpejtë-DRP Prishtinë, me pozitë zyrtar policor, ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin e tij zyrtar. Pasi që me datë: 17.07.2020, rreth orës 21:50h, i pandehuri i lartcekur Hasan Makolli ka shkuar në Objektet e biznesit  Radio Taxi “Beki”, ku kishte ndodhur një rrahje ndërmjet punonjësve të këtij biznesi, Skender Rama, Bekim Rama, Valdet Aliu dhe Hajdin Hajdini me të dëmtuarin Premtim Ipshi. Ku pas incidentit (rrahjes) të ndodhur ndërmjet punonjësve, në bazë të audio-video inçizimeve, i pandehuri i lartcekur Hasan Makolli iu kishte dhënë instruksione apo udhëzime palëve të dyshuara, të përfshira në atë rast, se çfarë të deklarojnë ata lidhur me rrahjen e të dëmtuarit të lartcekur Premtim Ipshi, si dhe të i fshinin audio-video inçizimet nga kamerat të cilat kanë mundur të filmojnë momentin e incidentit (rrahjes) ndërmjet punonjësve të biznesit Radio Taxi “Beki” Skender Rama, Bekim Rama, Valdet Aliu dhe Hajdin Hajdini me të dëmtuarin Premtim Ipshi.

Me këtë ka kryer veprën penale, Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe ka kryer veprën penale Manipulim me prova.

Seanca e radhës u caktua për datën 13 janar, në ora 13:00.