Çekani i drejtesise - Ilustrim

15 vjet burg për burrin e akuzuar se mbyti gruan duke e goditur për asfalti

Gjykata e Prizrenit, i ka shqiptuar 15 vite dënim me burg Ilir Haxhiajt, i akuzuar se rrahu gruan e cila vdiq më pas pas lëndimeve nga kjo rrahje.

Këtë dënim e ka dhënë trupi gjykues i përbërë nga kryetarja Ajser Skenderi bashkë me anëtarë Raima Elezi dhe Kymete Kicaj.

Kundër këtij dënimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Sipas Prokurorisë së Prizrenit, Haxhiaj e rrahu gruan e tij pas një mosmarrëveshjeje, duke i shkaktuar asaj lëndime të rënda trupore që rezultuan me vdekjen e saj.

Viktima Hatije Dina kishte vdekur më datë 31 maj, dy javë pas plagëve të pësuara me datë 15 maj si pasojë e dhunës të bashkëshortit.

Ndërsa, tashmë i dënuari është në paraburgim prej datës 1 qershor të vitit 2019.

I njëjti kishte mohuar fajësinë për veprën penale lëndim i rëndë trupor me pasoja vdekjen.

Aktakuza e Prokurorisë thotë se ngjarja ka ndodhur më datë 31 maj në fshatin Samadraxhë të Suharekës, gjatë kohës kur i akuzuari  sa ishte me bashkëshorten e tij në veturë, janë fjalosur si pasojë e një mosmarrëveshjeje.

Prokuroria pretendon se në dalje të fshatit Samadraxhë, i dyshuari ka ndalur veturën e tij në anën e djathë të rrugës dhe ka nxjerrë viktimën jashtë veturës dhe ka filluar ta grushtojë, duke e goditur në të gjitha pjesët e trupit.

Në aktakuzë thuhet se viktima Hatije Dina si pasojë e sulmit nga bashkëshorti është rrëzuar në asfalt, ndërsa i akuzuari ia kishte kapur kokën dhe disa herë e kishte goditur për asfalti.

Si rrjedhojë e goditjeve dhe lëndimeve të pësuara, e ndjera Hatije Dina ka pësuar dëmtime e trauma në kokë, fytyrë, gjoks, shpinë dhe duar, nga të cilat goditje ka vdekur në QKUK në Prishtinë më 15 qershor.

Për vepër të tillë penale, Kodi Penal parasheh dënim me burgim prej pesë deri në 15 vjet.