Foto-ilustrim

Gjykata e Gjilanit vendosi për të dyshuarin për dhunimin e 15-vjeçes në Viti

Gjykata e Gjilanit ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgim ndaj të dyshuarit me inicialet E.H., i cili dyshohet se e ka dhunuar një vajzë të mitur.

Kështu ka thënë për KALLXO.com Sabit Shkodra, zyrtar për informim i Gjykatës së Gjilanit.

Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur në një shtëpi të pabanuar në Viti.

Sipas kërkesës për paraburgim të Prokurorisë, personi me inicialet E.H. dyshohet se më 13 prill 2020 në një shtëpi të pabanuar në dalje të komunës së Vitisë ka kryer marrëdhënie seksuale kundër dëshirës së një vajze e cila besohet te jetë 15 vjeçare.

Prokurori i rastit ndaj të dyshuarit kishte kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, pasi ekzistonte rreziku i arratisjes dhe i ndikimit tek e dëmtuara.

Kurse Gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Gjilanit sot e ka aprovuar kërkesen e Prokuroris duke i shqiptuar 30 ditë paraburgim për të dyshuarin.