Gjykata Themelore e Gjakovës - Foto: KALLXO.com

Edhe një dënim nën minimum, kësaj radhe për dhunimin e 13-vjeçares

Gjykata e Gjakovës e ka dënuar me 6 vjet burgim 31-vjeçarin E.K, për dhunimin e të miturës 13-vjeçare.

Sipas ligjit, kjo vepër penale dënohet me më shumë se 10 vjet burgim.

“Kur vepra nga paragrafi 1 ose 2 i këtij neni kryhet ndaj personit nën moshën katërmbëdhjetë
(14) vjet, kryesi dënohet me burgim prej së paku dhjetë (10) vjet”, thuhet në paragrafin 7 të nenit 247 (Dunimi) të Kodit Penal.

Dënimin e konfirmoi avokati i të akuzuarit, Prek Kola.

Kola tha për KALLXO.com se “ po, është e vërtetë, më datën 8 është shpallë aktgjykim dënues e ka dënuar me 6 vjet burgim për veprën që ngarkohet”.

Sipas Kolës, gjykata ka marrë parasysh pranimin e fajësisë para të gjitha organeve, shprehjen e keqardhjes, faktin që i akuzuari nuk e ka ditur moshën e viktimës.

“Gjykata ka marrë parasysh rrethanat lehtësuese si pranimin e fajësisë para policisë, prokurorisë dhe gjykatës, keqardhjen e shprehur, faktin që u kanë në lajthim të moshës së nuk e ka ditë çfarë moshe është se si ka tregu drejt, këta janë të komunitetit egjiptian se gjithmonë janë martuar në moshe të hershme, i ka vetëm 4 vjet shkollë, falja e familjes së të dëmtuarit, e mitura ka deklaruar se na çdo herë kemi bërë mardhënje me qejf”, ka theksuar Kola.

I pyetur nga KALLXO.com se a do të parashtrojë ankesë, Kola tha se “pasi që kemi rënien në lajthim lidhur me moshën e të dëmtuarës do të shohim për ankesë” tha ai.

Ditë më parë KALLXO raportoi se si në Gjykatën e Pejës, gjyqtarja Florije Zatriqi kishte nxjerrë një vendim me të cilin e kishte dënuar me 8 muaj e 8 ditë burgim të akuzuarin për dhunimin seksual të një të miture.

Dënimi prej 8 muaj e 8 ditë burgim u vendos nga Zatriqi ndonëse sipas ligjit, për këso raste është nga 5 deri në 20 vjet.

Për këtë rast ka pasur reagime nga  kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe kryetari i gjykatës supreme, Enver Peci.

Pas publikimit të hulumtimit të KALLXO.com lidhur me dënimin prej 8 muajsh për dhunimin e të miturës nga Gjakova, Këshilli Gjyqësor i Kosovës vendosi ta suspendojë nga puna gjyqtaren e rastit.

Suspendohet gjykatësja që shqiptoi 8 muaj burgim për dhunuesin e të miturës