Suspendohet gjykatësja që shqiptoi 8 muaj burgim për dhunuesin e të miturës

Pas publikimit të hulumtimit të KALLXO.com lidhur me dënimin prej 8 muajsh për dhunimin e një të miture në Gjakovë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka vendosur për suspendimin e gjyqtares se rastit.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga KGJK.

Suspendimi i gjyqtares Florije Zatriqi është bërë deri në një vendim tjetër të Këshillit Gjyqësor.

“Është themeluar paneli hetimor për rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/10/2021/GJTHPE-AD/GJTHPE/15/21 dhe është vendosur për suspendimin e gjyqtares F. Z., deri në një vendim tjetër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës”, thuhet në njoftimin e KGJK-së.

KALLXO.com kishte kërkuar inicimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtares se rastit.

KALLXO.com raportoi se si gjyqtarja Florije Zatriqi kishte nxjerrë një vendim me të cilin e kishte dënuar me 8 muaj e 8 ditë burgim të akuzuarin për dhunimin e një të miture.

Dënimi prej 8 muaj e 8 ditë burgim u vendos nga Zatriqi ndonëse sipas ligjit, dënimi i paraparë në këso raste, parashihet të jetë nga 5 deri në 20 vite burgim.

Për këtë rast ka pasur reagime nga  kryeprokurori i shtetit, Aleksander Lumezi, ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe kryetari i gjykatës supreme, Enver Peci.

Raportimi i KALLXO për skandalin e Gjykatës së Pejës, reagon kryetari i Supremes.

Përpos dënimit, të pazakontë këtë vendim e bën edhe fakti se si gjyqtarja Zatriqi nuk ka arritur ta gjejë asnjë rrethanë rënduese kundër të akuzuarit, përderisa në favor të tij i ka gjetur 10 rrethana lehtësuese ndër të cilat edhe rrethanën se viktima gjatë dhunimit nuk kishte pësuar lëndime.

Ngjarja për të cilën u shqiptua ky dënim, sipas aktakuzës kishte ndodhur në janar të vitit 2012.

Aktakuza përshkruan se e mitura 15-vjeçare në atë kohë ishte duke dalë nga spitali kur edhe ishte kërcënuar me thikë e më pas ishte marrë nga i akuzuari P.K së bashku me një person të mitur, të cilët më pas e kishin dërguar atë në një shtëpi të pabanuar.

Sipas prokurorisë, pasi viktima ishte dërguar në atë shtëpi, i mituri e kishte thirrur në telefon edhe një të mitur tjetër dhe aty gjatë tërë natës të tre e kishin dhunuar 15-vjeçaren.

E mitura kishte arritur të ikë nga ajo shtëpi në mëngjes dhe menjëherë e kishte raportuar rastin në Polici.

Për këto veprime në seancën e datës 12 korrik të këtij viti, i akuzuari P.K e kishte pranuar fajësinë.

Në fund të vendimit gjyqtarja e kishte arsyetuar dënimin e ulët të shqiptuar ndaj P.K duke u bazuar të rrethanat lehtësuese se ai kishte pasur sjellje korrekte, kishte shprehur keqardhje, e kishte pranuar fajësinë, gjatë aktit viktima nuk kishte pësuar lëndime, nuk është i dënuar më parë, ndaj tij nuk ka ndonjë procedurë tjetër, ka qenë i moshës 21-vjeçare, ka qenë i papjekur, ka fëmijë dhe se nga koha kur është kryer vepra penale tashmë kanë kaluar gati 10 vite.

Për më tepër edhe më të rëndë këtë rast e bën fakti se tashmë i dënuari P.K nuk do të dërgohet asnjë ditë në burg pasi këtë kohë i akuzuari e ka kryer në paraburgim.

Domosdoshmëria e hetimit penal në vendimin për përdhunuesin e 15 vjeçares