ILUSTRIM Të burgosur në Burgun e Dubravës - Foto: KALLXO.com

Droga në burgun e Dubravës, dënohet sërish i burgosuri

Gjykata e Pejës e ka dënuar me 1 vit burgim me kusht dhe 200 euro gjobë Agron Jahiun, i akuzuar për posedim të 0.5 gr marihuanë.

Sipas aktakuzës, Jahiut i është gjetur substancë narkotike brenda burgut të Dubravës në shtator të këtij viti.

Dënimi me burgim prej një viti nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër të re penale brenda një viti.

Në kohën e kryerjes së veprës, ai ka qenë në vuajtje të dënimit për një vepër tjetër penale.

I pandehuri sot e pranoi fajësinë për veprën penale që i vihej në barrë.

Me pranimin e fajësisë janë pajtuar prokurorja Valbona Disha Haxhosaj, mbrojtësja e të akuzuarit Agron Jahiu, avokatja Venera Gashi dhe gjyqtarja Lumturije Muhaxheri.