Dosja e Prokurorisë: Si u kërkua dhe si u dha ryshfeti për subvencionet në bujqësi?

Nga 15 të akuzuarit e rastit “Subvencionet 2”, 6 prej tyre kanë pranuar fajësinë për dhënie ryshfeti e mashtrim me subvencione.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorisë, 6 të akuzuarit; Dukagjin Dedaj, Ramadan Zeqiraj, Sadri Berisha dhe Pashk Krasnqi deklaruan para gjykatës se pranojnë fajësinë për veprat që ju vihen në barrë.

Dedaj, Berisha dhe Krasniqi nga prokuroria po akuzohen për dhënie ryshfet, kurse Zeqiraj akuzohet për dhënie ryshfeti dhe mashtrim me subvencione.

Ndërsa Blerim Mulliqi dhe Bekim Bruqi u deklaruan se qëndrojnë në tërësi pranë arritjes së marrëveshjes për pranim të fajësisë të bërë mes tyre dhe prokurorisë.

Lidhur me gjashtë të akuzuarit e lartë cekur, Gjykata do të veçojë procedurën dhe shpalljen e aktgjykimit për ta do ta bëjë me 15 mars të këtij viti.

Se pranojnë fajësinë për dhënie ryshfeti por jo edhe për mashtrim me subvencione u deklaruan Gëzim Morina, Afrim Mehmetaj, Donard Dragaj dhe Hazir Metaj.

Në lidhje me pranimin e fajësisë vetëm për dhënie ryshfeti gjykata do të vendos në fund të procesit gjyqësor.

Ndërsa, Luan Statovci, Sadat Shkodra, Berat Nika, Rasim Zekaj dhe Hysni Morina u deklaruan të pafajshëm për aktakuzën e Prokurorisë për marrje dhe dhënie ryshfeti si dhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLLXO.com, të pandehurit Luan Statovci dhe Blerim Mulliqi, akuzohen se në vazhdimësi nga data 01.10.2020 e deri me datën 23.02.2021 në Prishtinë, Pejë dhe Istog, i pandehuri Statovci, në cilësinë e drejtorit të pagesave direkte në agjencinë për Zhvillim të Bujqësisë duke vepruar në bashkëkryerje me të pandehurin Mulliqi, si inspektor regjional në zyrën regjionale në Pejë, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë kanë pranuar ryshfet nga të pandehurit Gëzim Morina, Rasim Zekaj, Afrim Mehmetaj, Donard Draga, Ramadan  Zeqiraj, Dukagjin Dedaj, Hazir Metaj, Hysni Morina, Sadri Berisha dhe Pashk Krasniqi.

Tutje sipas aktakuzës Luan Statovci dhe Blerim Mulliqi duke vepruar në bashkëkryerje arrijnë marrëveshje që nga Gëzim Morina vlera e ryshfetit të jetë 8 mijë euro.

Kështu që me datën 03.10.2020 i pandehuri Mulliqi takohet me të pandehurin Morina të pika e derivateve “Kastrarti” në Pejë dhe pranon ryshfet në shumën prej 4 mijë euro, ku 1 mijë euro i ndalë për vete kurse me datën 05.10.2020 shumën prej 3 mijë euro ia dorëzon të pandehurit Luan Statovci, e pas kësaj procedohet vendimi për pagesën e parë.

Kurse pas procedimit të pagesës së dytë me datën 02.02.2021 Mulliqi takohet me Morinën afër stacionit në Pejë dhe pranon pjesën e dytë të ryshfetit prej 4 mijë euro.

Gjithnjë sipas aktakuzë, me datën 01.10.2020 deri me datën 10.02.2021 në Pejë dhe Prishtinë, të pandehurit Luan Statovci dhe Mulliqi duke vepruar në bashkëkryerje, pranojnë ryshfet nga i pandehuri Rasim Zekaj ashtu që duke vepruar në kundërshtim me detyrën zyrtare i kanë mundësuar të pandehurit Zekaj të përfitoj subvencion në vlerë prej 93 mijë e 400 euro.

Kësisoj që Mulliqi dhe Statovci përmes të pandehurit tjetër Bekim Bruçi, arrijnë marrëveshje me Rasim Zekajn për shumën e ryshfetit prej 14 mijë euro, që në mënyrë të kundërligjshme të subvencionohet kulturat e “OrganicHerb”, e ku Sadat Shkodra gjatë kontrollit administrativ e procedon lëndën pa i plotësuar kriteret e aplikimit dhe në kundërshtim me programin për vitin 2020.

Tutje me datën 01.11.2020 e deri me datën 02.02.2021 Luan Statovci e Blerim Mulliqi duke vepruar në bashkëkryerje, pranojnë ryshfet nga i pandehuri Afrim Mehmetaj, e që në kundërshtim të detyrës zyrtare i mundësojnë të përfitojnë subvencion me vlerë mbi 71 mijë euro, ani pse në aplikimin për subvencione kishte të dhëna të pasakta.

Për këtë subvencionim, sipas aktakuzës, Mulliqaj takohet me Mehmetajn për të marrë shumën e ryshfetit në vlerë prej 7 mijë euro, ku 2 mijë i merr për vete, kurse 5 mijë i dorëzohen të pandehurit tjetër Luan Statovcit.

Sipas aktakuzës, Donard Dragës, Mulliqi e Statovci i marrin ryshfet shumën prej 5 mijë euro për fitimin e subvencionit me vlerë prej 58 mijë euro që e kishte fituar Draga, pasi që nuk kishin arritur marrëveshje për fitimin e ryshfetit në vlerë prej 10 mijë euro.

Sipas aktakuzës, Dukagjin Dedës në formë të ryshfetit i kërkohen mbi 3 mijë euro, ashtu që kinse do t’i mundësojnë marrjen e subvencionit në vlerë prej mbi 42 mijë euro.

Pas aplikimit për subvencion, Dukagjin Dedaj kontaktohet nga zyrtarë të AZHB-së se dokumentacioni nuk është në rregull dhe se i njëjti mund të futet në listë të zezë.

Sipas aktakuzës, Deda duke menduar se mund t’i humbas subvencionet, kontakton me të pandehurin Blerim Mulliqi, i cili në bashkëpunim me të pandehurin Statovci, kërkojnë nga Deda shumën e lartë cekur në formë të ryshfetit.

Gjithnjë sipas aktakuzës së prokurorisë, i pandehuri Statovci dhe Mulliqi duke vepruar në bashkëkryerje pranojnë ryshfet nga i pandehuri Ramadan Zeqiraj, pasi që të njëjtit i mundësojnë të përfitoj subvencion në vlerë prej 12 mijë euro në mënyrë të kundërligjshme.

Ashtu që Mulliqi dhe Zeqiraj duke përdorur të dhënat e personit Arbnor Zeqiraj aplikojnë për blegtori, duke paraqitur rrejshëm gjendjen faktike. E nga tërë kjo Mulliqi pranon nga Ramadan Zeqiraj ryshfet në vlerë prej 3 mijë euro.

Tutje Staovci dhe Mulliqi kërkojnë ryshfet nga i pandehuri Hazir Metaj në vlerë prej 4 mijë euro, pasi që nuk kishin arritur marrëveshje që si ryshfet të shkëmbehen 6 mijë euro. E krejt kjo pasi që i kishin mundësuar Metajt që të përfitoj subvencion me vlerë prej 13 mijë euro, duke përdorur tokën publike për aplikim të subvencioneve.

Sipas aktakuzës, Hysni Morina arrinë marrëveshje që si ryshfet Statovcit dhe Mulliqit t’i jepej shuma prej 1 mijë e 500 euro, pasi që të njëjtit duke kryer veprime zyrtare se kinse do t’i mundësojnë marrjen e subvencionit në vlerë prej 18 mijë euro, ishte kontaktuar nga zyrtarët e AZHB-së se dokumentacioni nuk është në rregull dhe se mund të futet në listë të zezë.

Njëjtë si me Morinën, Luan Staovci dhe Blerim Mulliqi kishin vepruar edhe me Sadri Berishën, duke i kërkuar ryshfet në vlerë prej 1 mijë e 600 euro, për ndihmë në përfitimin e subvencionit në vlerë prej 22 mijë euro.

Ryshfet nga Statovci e Mulliqi i ishin kërkuar edhe A.A(tani i ndjerë), por këtij të fundit në vlerë prej 2 mijë euro për mos vendosje në listë të zezë.

E nga Pashk Krasniqi ishin pranuar ryshfet në shumën prej 400 euro.

E me këto veprime të pandehurit kanë kryer vepra penale marrje e dhënie ryshfeti, ushtrim ndikimi, keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe  mashtrim me subvencione.