Dështon gjykimi ndaj deputetëve për gaz lotsjellës në Kuvend

Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj Ish-deputetes së Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, deputetes së AAK-së Donika Kadaj Bujupi, deputetit Pal Lekaj e ish-deputetes së Vetëvendosjes Besa Baftiu.

Lajmin për dështimin e seancës e konfirmoi për KALLXO.com, avokati Arianit Koci, mbrojtës i të akuzuarit Pal Lekaj.

Koci tha se seanca e sotme është shtyrë në mungesë të njërit prej të pandehurve dhe seanca e radhës është caktuar më 2 shtator.

Edhe seanca e 10 korrikut kishte dështuar të mbahej në mungesë të akuzuarës Donika Kadaj Bujupi.

Aktakuza e Prokurorisë ndaj tyre thotë se të akuzuarit Albulena Haxhiu, Besa Baftiu, Donika KAdaj Bujup e Pal Lekaj, në shkurt të 2016, kanë future bombola të gazit në Kuvendin e Kosovës duke e kryer veprën penale armëmbajtje pa leje.

Aktakuza ka të bëjë me kohën kur partitë atëherë në opozitë, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma kundërshtonin marrëveshjen Kosovë-Mali i Zi për demarkacionin e kufirit dhe marrëveshjen Kosovë -Serbi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.