Haki Rugova, LDK, Istog. Foto: Atdhe Mulla

Dështimi i gjashtë: Nuk mbahet seanca gjyqësore ndaj Haki Rugovës

Në mungesë të prokurorit Ali Uka, Gjykata e Pejës ka dështuar ta vazhdojë procesin gjyqësor kundër kryetarit të Istogut dhe nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugovës.

Prezent nuk ishte as vet i akuzuari Rugova, por gjykata nuk dha ndonjë arsyetim për mungesën e tij. Kjo është hera e gjashtë që seanca ndaj tij nuk po mund të mbahet.

Rugova ka marrë pjesë në homazhet që po bëhen në Prishtinë te varri i ish-Presidentit Ibrahim Rugova në 14 vjetorin e vdekjes.

Kryetari i trupit gjykues Sylë Lokaj tha se prokurori e ka njoftuar gjykatën se nuk mund të marrë pjesë në seancë ‘për shkak të angazhimit në një çështje tjetër penale‘ duke kërkuar që të shtyhet seanca.

Për të njëjtat arsye nuk ishte mbajtur as seanca e kaluar gjyqësore me 10 dhjetor 2019.

Aktakuza për konflikt interesi, ndaj të parit të Istogut Haki Rugova erdhi pasi Agjencia Kundër Korrupsionit kishte paraqitur kallëzim penal ndaj tij pas raportimit të marrë nga BIRN dhe Interneës Kosova.

“Agjencia Kundër Korrupsionit më 11 gusht 2017, ka pranuar informacionin nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese ‘BIRN’ dhe ‘Internews Kosova’ ndaj Haki Rugova për shkak të mundësisë së veprës penale konflikt i interesit”, thuhet në arsyetimin e kallëzimit penal të Agjencisë.

Ai dyshohet se më 1 gusht 2014 në cilësinë e kryetarit të Komunës së Istogut me dashje ka marrë pjesë personalisht në nënshkrimin e kontratës ‘Ndërtimi i Kanalizimit Fekal në Fshatin Cerrcë-Lubozhdë- Faza e Parë”.

Tenderin për ndërtimin e këtij kanalizimi e fitoi “’MA-CON’ sh.p.k, në pronësi të Gani Rugovës (vëllai i Haki Rugovës), në vlerë prej 289,119.85 euro, duke mundësuar kështu interes financiar për të (Haki Rugovën) dhe personin juridik që ka të bëjë me të.

Seanca e radhës është caktuar me 10 Mars 2020.

Haki Rugova ulet në bankën e të akuzuarit