Haki Rugova para Gjykatës - 23.10.2019

Haki Rugova ulet në bankën e të akuzuarit

Haki Rugovës, kryetar i Komunës së Istogut, është ulur sot në bankën e të akuzuarit për veprën penale konflikt interesi.

I pari i komunës se Istogut pas ballafaqimit me aktakuzën e Prokurorisë së Gjakovës, u deklarua i pafajshëm për veprën që i vihet në barrë.

Sot palët në procedurë do të japin fjalën hyrëse dhe do të dëgjohen katër persona në cilësinë e dëshmitarëve.

Aktakuza për konflikt Interesi, ndaj të parit të Istogut Haki Rugova erdhi pasi Agjencia Kundër Korrupsionit kishte paraqitur kallëzim penal ndaj tij pas raportimit të marrë nga BIRN dhe Internews Kosova.

“Agjencia Kundër Korrupsionit më 11 gusht 2017, ka pranuar informacionin nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese ‘BIRN’ dhe ‘Internews Kosova’ ndaj Haki Rugova për shkak të mundësisë së veprës penale konflikt i interesit”, thuhet në arsyetimin e kallëzimit penal të Agjencisë.

Ai dyshohet se më 1 gusht 2014 në cilësinë e kryetarit të Komunës së Istogut me dashje ka marrë pjesë personalisht në nënshkrimin e kontratës ‘Ndërtimi i Kanalizimit Fekal në Fshatin Cerrcë-Lubozhdë- Faza e Parë”.

Tenderin për ndërtimin e këtij kanalizimi e fitoi “’MA-CON’ sh.p.k, në pronësi të Gani Rugovës (Vëllai i Haki Rugovës), në vlerë prej 289,119.85 euro, kështu duke mundësuar interes financiar për të (Haki Rugovën) dhe personi juridik qe ka të bëjë më të.

.