Denoncimi i KALLXO.com – Mbi 10 vite burg për biznesin e bombave, Gjykata i gjen fajtorë të akuzuarit

Në muajin maj të vitit 2018 kallxo.com kishte raportuar një rrëfim ekskluziv i cili kishte tronditur vendin. Një person kishte rrëfyer se si ishte angazhuar për të vendosur bomba me sahat afër biznesmenëve të ndryshëm.

Dosja e cila ishte denoncuara në Kallxo kishte përfunduar në gjykatë ndërsa sot gjykata ka shpallur verdiktin.

Gjykata ne Prishtinë sot ka gjetur fajtor Artan Abdullahun, Bekim Krasniqin, Shkëlzen Zariqin dhe Vedat Rexhepin, të akuzuar për vendosje të bombave tek lokali i biznesmenit nga Prishtina, Hajrullah Kryeziu.

Ngjarja sipas dosjes së Prokurorisë kishte ndodhur në periudhën maj – shtator të vitit 2010 me qellim të kërcënimit dhe frikësimit të Kryeziut pasi që ky i fundit kishte privatizuar 91 hektarë tokë nga AKP.

Artan Avdullahun gjykata e gjeti fajtor për veprën posedim dhe shfrytëzim i pa autorizuar i armës dhe  i njëjti është dënuar me 1 vit e 6 muaj dënim me burgim, kurse për veprën penale të detyrimit me 3 vite e 6 muaj dënim me burgim,  gjykata si dënim unik Abdullahut i ka shqiptuar  4 vite e 10 muaj dënim me burgim.

Kurse të akuzuarit Bekim Krasniqi dhe Shkëlzen Zariqit për veprën penale të detyrimit gjykata i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 vitesh secilit veç e veç.

Ndërsa Vedat Rexhepi është gjetur fajtor për veprën ndihmë në detyrim dhe i njëjti është dënuar me 10 muaj dënim me burgim me kusht.

Kujtojmë që sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, Prokuroria akuzonte se Artan Avdullahu më 25.5.2010 dhe më 7.9.2010 në Prishtinë, përkatësisht në lagjen “Dardania”, para hyrjes së kompanisë së sigurimeve “ICT” kishte vendosur dy herë radhazi granata dore dhe bombola gazi me qëllim të frikësimit dhe kërcënimit.

Sipas Prokurorisë më 25 maj të vitit 2010 kishte vënë dy granata dore dhe një bombol gazi, njëra prej tyre kishte arritur të shpërthente rreth orës 2:00 të mëngjesit kurse tjetra ishte gjetur e pashpërthyer. Kurse më 7 shtator të vitit 2010 përsëri kishte vendosur një granatë dore dhe një bombol gazi ku që të dyja kanë shpërthyer duke shkaktuar rrezikim të përgjithshëm për jetën e njerëzve.

Më këto veprime i pandehuri sipas Prokurorisë Speciale ka kryer veprën penale posedim dhe shfrytëzim i paautorizuar i armës.

Sipas dosjes së Prokurorisë të akuzuarit Artan Avdullahu, Bekim Krasniqi, Shkëlzen Zariqi dhe Vedat Rexhepi, duke vepruar si anëtarë të grupit kanë kërcënuar rëndë Hajrullah Kryeziun me qëllim që vetes dhe të tjerëve t’i sjellin dobi pasurore.

Tutje në aktakuzë thuhej se në datat e lartcekura i pandehuri Artan Avdullahu në pronën e të dëmtuarit Hajrullah Kryeziu më saktësisht te zyrat e “ITC” në Prishtinë kishte vendosur granatë dhe bombolën e gazit,  i shtyrë nga të pandehurit Krasniqi, Zariqi dhe Rexhepi, kjo me qëllim të kërcënimit dhe frikësimit të Kryeziut që i njëjtit të tërhiqet nga prona të cilën ky i fundit e kishte privatizuar nga AKP me sipërfaqe prej 91 hektarësh.

Me këto veprime të njëjtit akuzohen se kanë kryer veprën penale – detyrim  i mbetur në tentativë.

Në vitin 2018, emisioni “Drejtësia në Kosovë“ transmetoi rrëfimin e Artan Avdullahut, i cili ka treguar se kujt i ka vendosur bomba, ku ishte stërvitur për montimin e bombave dhe kush kanë qenë urdhërdhënësit.

Në emision janë përfshirë edhe deklaratat e viktimave dhe të dyshuarve.