Foto: Kallxo.com

Dënohen tre persona për përleshjen me brisk në lokal të Pejës

Gjykata e Pejës i ka shpallur fajtor të akuzuarit Vernor Gjurkaj, Eldrin dhe Ilirian Margataj.

Gjurkaj akuzohet për vrasje në tentativë, ndërsa Margataj për pjesëmarrje në rrahje.

Vernor Gjurkaj është dënuar me 1 vjet burg duke llogaritur këtu kohën e kaluar në paraburgim.

Ndërsa Eldrin dhe Ilirian Margataj u dënuan me nga 6 muaj burgim, por dënimi ndaj tyre nuk do të ekzekutohet nëse brenda një viti ata nuk kryejnë vepër të re penale.

Paraprakisht të akuzuarit pranuan fajësinë për veprat penale qe ju vihen në barrë.

“E pranoj fajësinë, më vjen keq çka ndodhë, shprehi keqardhje për këto veprime”, tha i akuzuari Gjurkaj.

Edhe dy të akuzuarit e tjerë shprehen keqardhje për veprimet e tyre.

Prokurori i shtetit mbështeti pranimin e fajësisë së të akuzuarve duke konsideruar se pranimi i fajësisë është i mbështetur në provat qe gjendën në shkresat e lëndës.

Edhe mbrojtësit e të akuzuarve i propozuar Gjykatës qe të pranohet pranimi i fajësisë.

Prokurori Agron Galani në fjalën përfundimtare tha se në rastin e caktimit të vendimit mbi dënim duhet të merren parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

Sipas aktakuzës, në lokalin “Loading Bar” në Pejë, pas një mosmarrëveshjeje mes të akuzuarve dhe të dëmtuarit, i akuzuari Gjurkaj kishte gjuajtur karrigen në drejtim të të dëmtuarit Ardit Baloku duke e goditur në pjesën e pasme të shpinës.

Më pas, tre të akuzuarit e kishin sulmuar të dëmtuarin.

Aktakuza sqaron tutje se i akuzuari Gjurkaj dhe i dëmtuari e kishin sulmuar njëri tjetrin me brisqe. Gjatë përleshjes, i akuzuari Gjurkaj në mënyrë të pakontrolluar e kishte goditur të akuzuarin tjetër Eldrin Margataj në pjesën e mbi bërrylit të dorës së majtë e më pas e kishte goditur edhe të dëmtuarin Baloku në pjesën e majtë të shpinës duke vazhduar me goditje edhe në regjionin e parakrahut të majtë.

Prokuroria akuzonte Vernor Gjurkaj për veprën penale të vrasjes në tentativë, ndërsa të akuzuarit Eldrin dhe Ilirian Margataj për pjesëmarrje në rrahje.