'Arratisja nga QKUK', Sami Lushtaku më 30 tetor para Apelit

Lufta për drejtësi në mes Prokurorisë dhe ish kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku për rastin e njohur “Arratisja nga QKUK” do të zhvillohet në Gjykatën e Apelit më 30 tetor.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi për informim i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari.

Lajmin se lënda gjendet në Apel e ka konfrimuar avokati Artan Qerkini, mbrojtës i të akuzuarit Sami Lushtaku, i cili për KALLXO.com ka thënë se “Ankesë kemi paraqitur edhe ne edhe Prokuroria”.

Kujtojmë se ish-kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku, Sahit Jashari e Ismet Haxha më 14 prill ishin shpallur të pafajshëm për arratisjen nga QKUK-ja.

Kjo pikë e akuzës është parashkruar në maj të 2020.

Por Sami Lushtaku ishte dënuar me gjobë në shumë prej 12 mijë euro për arratisjen nga Dubrava.

Aktakuza e cila përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Lushtaku nga burgu, duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.

E njëjta përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues.

Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi, roli i të cilit përshkruhet në këtë aktakuzë të Prokurorisë.

Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në Burgun e Mitrovicës.

Në këtë aktakuzë edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e po ashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.

Aktakuza, për arratisjen nga QKUK-ja ishte ngritur me datën 17 nëntor 2016.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale thotë se nga mëngjesi i 20 majit e deri në orët e mbrëmjes së 22 majit në objektet e Spitalit Rajonal të Prishtinës duke vepruar sipas një plani të përbashkët, derisa kanë qenë në paraburgim ata (Lushtaku, Jashari dhe Haxha), kanë ikur nga dhomat e spitalit në të cilat kanë qenë në mbajtje për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit Lushtaku, Jashari dhe Haxha janë fshehur në lokacion të panjohur duke u arratisur nga institucioni ku ata kanë qenë në bazë të vendimit të ligjshëm për privimin e tyre.

Sipas Prokurorisë qëllimi i arratisjes nga QKUK-ja ishte mosekzekutimi i vendimit të gjyqtarit të EULEX-it, për transferimin e të akuzaurve nga Qendra e Paraburgimit të Dubravës për në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë.

Pika e akuzës për arratisjen nga Dubrava:

Prokuroria thotë se i akuzuari Sami Lushatku me 21 gusht 2015, nga ora 10 deri në orën 19 ka qëndruar i pashoqëruar nga oficerët korrektues dhe pa u miratuar nga ndonjë vendim i gjykatës është arratisur nga Burgu i Dubravës ku ka qenë duke mbajtur dënimin prej 12 viteve dhe ka shkuar në shtëpinë e tij në lagjen Dragodan në Prishtinë.

Poashtu Prokuroria thotë se me datën 22 shtator të vitit 2015, rreth orës 12 e 20 deri në 15 e 40 ka qëndruar i pashoqëruar përkohësisht nga stafi korrektues duke u arratisur nga institucioni ku ka qenë në mbajtje të dënimit prej 12 vietëve të shqiptuar nga Gjykata e Mitrovicës.

Ndaj Sami Lushtakut dhe të akuzuarve te tjerë do të vazhdojë gjykimi për veprat penale pengim i dëshmisë apo procedurës penale, frikësim gjatë procedurës penale dhe  pjesmarrje në krim të organizuar.